"Wimbledon" kampion ekipor i Kosovës në tenis
Klubi i tenisit “Wimbledon” nga Prizreni është kampion i Kosovës në tenis në konkurrencën ekipore. Prizrenasit u shpallën klubi më i mirë i Kosovës në vitin 2009 pasi që në finale që u zhvillua në Prizren fituan ndaj ekipit të klubit të tenisit Prishtina me rezultat 3-2.
Për herë të parë pas shpalljes së Kosovës shtet i pavarur dhe për herë të parë në historinë 13 vjeçare të ekzistimit të Federatës së tenisit të Kosovës kemi shpalljen e ekipit me të mirë të Kosovës për vitin garues paraprak. Takimi u zhvillua sipas sistemit të Davis Cup, pra me katër përballje individuale dhe një në konkurrencën e çifteve. Në takimin e parë u takuan Zahir Rama nga Prizreni dhe Jeton Hajdari nga Prishtina. Ishte një takim shumë i fortë ku pati mjaft kthesa në rezultat. Setin e parë e fitoi bindshëm Jeton Hajdari. Por, tenisti prizrenas Zahir Rama u këndell dhe beri kthim në rezultat duke fituar setin e dytë me rezultat 6-2. Seti i tretë dhe vendimtar ishte jashtëzakonisht interesant. Në fund Zahir Rama ia morri shërbimin Jeton Hajdarit në gemin vendimtar kundërshtarit të tij duke e përbyllur setin e tretë me rezultat 6-4. Në përballjen e dytë u takuan Behar Kurteshi nga Prishtina dhe Gurash Hasani nga Prizreni i cili enkas për këtë takim udhëtoi nga Gjermania për të i ndihmuar klubit të tij drejt titullit të më të mirit në Kosovë. Gurashi karrierën e tij profesionale në tenis është duke e vazhduar në klubin e tenisit Palmengarten në Frankfurt të Gjermanisë. Ky takim përfundoi me rezultat 2 me 0 me sete në favor të tenistit prizrenas Gurash Hasanit 6-3 dhe 6-2.
Sfida më interesante dhe vendimtare e ditës ishte ajo e konkurrencës së çifteve ku me të vertetë u zhvillua një luftë e madhe për secilin poen dhe ku të gjithë tenistët treguan vetëmohim maksimal duke i dhënë shikueseve pjesëmarrës një takim cilësor dhe dramatik deri në poenin e fundit. Se sa ishte i fortë ky takim tregon edhe rezultati ku të gjitha setet u vendosën në ‘tie break’. Çifti prizrenas Zahir Rama dhe Gurash Hasani për një nuancë ishin më të mirë se Granit Bajraliu dhe Behar Kurteshi duke fituar me rezultat 7-6, 6-7 dhe 10-8. Me këtë fitore klubi i tenisit Wmbledon nga Prizreni udhëhoqi me 3-0 dhe siguroi fitoren vendimtare drejt titullit të kampionit ekipor të Kosovës. Dy takimet tjera u zhvilluan sa për prestigj. Besart Halimi nga Prishtina triumfoi ndaj Burim Bytyqit nga Prizreni me rezultat 6 : 4, 2 : 1 ndërprerje për shkak të lëndimit të tenistit prizrenas dhe në fund Granit Bajraliu fitoi ndaj Durim Morinës 6-0, 6-0. Kryetari i Federatës së tenisit të Kosovës Shkelzen Domi ia dorëzoi kupën kryetarit të klubit më të mirë të tenisit për vitin 2009 Wimbledon nga Prizreni, Jeton Hadërgjonaj.
Category: Tenis
0 Komente