Majlinda Kelmendi sportistja më e mirë e vitit 2009 në Kosovë
Xhudistja Majlinda Kelmendi është shpallur sportistja më e mirë e vitit 2009 në Kosovë, sipas Grupit KOHA. Ceremonia e shpalljes së më të mirëve është mbajtur të enjten mbrëma në Hotelin Victory, në Prishtinë
"Grupi KOHA" për të njëmbëdhjetën herë me radhë shpall sportistët më të mirë të vitit. Çmimi i sportistes më të mirë Kelmendit iu dorëzua drejtoresha e Grupit "Koha" Flaka Surroi.
"Është vashë e re me të cilën nuk ka kush që nuk krenohet në Kosovë. Është e para që ia bëri me dije botës, me një medalje të artë, se Kosova është shtet dhe se ka sportistë të shkëlqyer që e meritojnë të garojnë ndërkombëtarisht", ka thënë Flaka Surroi.
Majlinda 18-vjeçare ka qenë pa konkurrencë në vlerësimin e jurisë. Në shpalljen e katërt të saj si më e mira e vitit, ajo ka marrë gjithsej 49 pikë. Në kategorinë e sportistit të vitit, xhudistja e klubit Ippon nga Peja, konkurrentë pati futbollistët Behar Maliqi e Enis Zabërgja, basketbollistin Edmond Azemi, basketbollisten Elinda Musliu, hendbollistin Muhamed Maloku, si edhe hendbollisten Kaltrina Beka.
"Desha të falënderoj 'Grupin KOHA' për këtë shpërblim. Suksesi im vazhdimisht është shpërblyer nga KOHA, jo vetëm tash që jam bërë kampione e botës, por edhe në të kaluarën. Falënderoj trajnerin Driton Kuka, që na ka mundësuar të përjetojmë ato ndjenja të garimit në kampionate botërore e evropiane. Po ashtu, dua të falënderoj ministrin Valton Beqiri për përkrahjen që po jep për xhudon dhe, po ashtu, për shpërblimin që më ka dhënë pas medaljes së artë në Paris. Më brengos se në Parlament kurrë nuk përmendet fjala sport, kështu nuk duhet të jetë, pasi jo më kot sportistët thuhet se janë ambasadorët më të mirë të një vendi", ka thënë Kelmendi.
18-vjeçarja Kelmendi gjatë këtij viti doli kampione e botës, Evropës dhe e Ballkanit për juniore. Ka fituar edhe shumë tituj të tjerë në Kosovë dhe jashtë saj. Vlerësohet shpresa më e madhe e sportit kosovar.
Sportistja më e mirë: Majlinda Kelmendi
Sportisti më i mirë i ri: Liridon Zeiqi
Sportistja më e mirë e re: Nora Gjakova
Sportistja më e mirë sipas votave në internet: Majlinda Kelmendi
Klubi më i mirë (meshkujt): KB S. Prishtina
Klubi më i mirë (femrat): KB Bashkimi
Punëtori më i mirë sportiv: Driton Kuka
Post-mortum: Lah Nimani
Mirënjohja për afirmim të sportit: KB BB Bashkimi
Category: Futboll
0 Komente