United i afrohet në dy pikë Chelseat
Kampioni në fuqi i Ligës Premier, Manchester United, ka shënuar fitore 3-1 në fushë të Hull Cityt, për të marrë tre pikë të vlefshme që e mbajnë atë në pozitën e dytë me vetëm dy pikë larg Chelseat.
Djajtë e kuq treguan një lojë jo aq bindëse në pjesën e parë të ndeshjes, kur arritën të shënojnë vetëm në çastet e fundit të kësaj pjese me anë të Wayne Rooney (45’). Pjesa e dytë po ashtu nuk filloi këndshëm për ekipin e Sir Alex Ferguson, pasi vendasit e Hull Cityt barazuan me anë të Craig Fagan nga penaltia në minutën e 59-të të ndeshjes.
Një autogol i Andrew Dawson i shënuar në minutën e 73-të të takimit, ia riktheu epërsinë Manchesterit, me sulmuesin bullgar Dimitar Berbatov që vulosi rezultatin kur kishin mbetur nëntë minuta deri në fund të kohës së rregullt të takimit.
Manchester United tash grumbullon 40 pikë dhe rikthen vendin e dytë me dy pikë më pak se Chelsea. Arsenali zbret sërish në vendin e tretë me dy pikë më pak se United, por që ka edhe një ndeshje më pak të zhvilluar.
Category: Futboll
0 Komente