Barcelona shkatërron Stuttgartin

dardanmiftari | Wednesday, March 17, 2010 | 0 Komente

Leo Messi realizoi dy herë. Barcelona ka siguruar kualifikimin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, pasi ka eliminuar Stuttgartin me rezultat të përgjithshëm prej 5-1.
Ndeshja e parë e zhvilluar në Mercedes-Benz Arena përfundoi me rezultat të barabartë 1-1, ndërsa ndeshja kthyese e zhvilluar të mërkurën mbrëma në Camp Nou i takoi skuadrës vendase e cila fitoi me rezultat 4-0.
Pjesa e parë u takoi kryesisht Blaugranëve, të cilët menaxhuan lojën, patën rastet dhe realizuan dy gola.
Goli i parë në ndeshje erdhi në minutën e 13-të, kur lojtari më i mirë në botë Lionel Messi shënoi një eurogol për rezultatin 1-0.
SuperMessi ishte pjesëmarrës edhe në golin e dytë duke bërë një superpasim në drejtim të Yaya Toure, i cili pasoi te Pedro Rodriguez, ndërsa ky i fundit nuk e pati të vështirë të shënonte në portën e zbrazët (22’).
Ashtu si në pjesën e parë, edhe në pjesën e dytë katalunasit ishin skuadër më e mirë në fushë duke dominuar ndeshjen dhe duke shënuar edhe dy gola të tjerë.
Një aksion të bukur të Pedros dhe Alvesit, e konkretizoi me gol lojtari i ndeshjes Leo Messi (60’), i cili realizoi golin e dytë në ndeshje dhe të tretin për vendasit.
Ndërkohë, porsa hyri në lojë, Bojan Krkic vendosi rezultatin përfundimtar prej 4-0, pas një pasimi të Zlatan Ibrahimovic (89’).

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...