Dramë në Londër
Ndeshja e zhvilluar në stadiumin Emirates në Londër mes Arsenal dhe Barcelonës, pas një drame të vërtetë ka përfunduar me rezultat të barabartë, 2-2.
Pjesa e parë
Në pjesën e parë në Emirates avansoi në të gjitha anët ekipi spanjoll Barcelona, përveç në rezultat.
Ndeshja filloi me një vrrull të madh. Fillimisht Arsenali ndërtoi një aksion të bukur, por pa konkretizim mirëpo lojtarët e Barcelonës dukeshin të qetë.
Ekipi nga Katalunia filloi të ndërtonte aksione që premtonin shumë dhe të gjitha pasimet shkuan për Ibrahimovic, por suedezi ishte i paaftë t’i konvertonte në gol ato.
Gjatë kësaj pjese portieri Almunia ishte fenomenal sepse shmangte goditje nga më të ndryshmet. Busquets, Messi dështuan ta mposhtnin portierin e Arsenalit.
Për 15′ minuta lojë Arsenali kishte presion të madh dhe ishte në telashe të mëdha. Statistikat tregonin: nëntë gjuajtje të Barcës, gjithsej pesë brenda portës kurse Arsenal kishte zero gjuajtje.
Gunners’ u përshtatën paksa me ritmin e lojës dhe filluan të ndërtonin aksione. Vlen të përmendet rasti në minutën e 36′ kur Bendtner pas dy goditjeve rradhazi dështon ta mposht portierin Victor Valdes, por Danezi dukej se ishte në pozicion jashtë loje.
Pritej që Arsenal të posedonte topin në mënyrë të duhur, por ata nuk e mbajtën topin më shumë se 30 % kurse Barcelona kishte 70 % .
Arsene Wenger po ashtu u përball me probleme ekipore. Ai u detyrua të zëvendësonte dy lojtarë për shkak të lëndimit. Ishin Arshavin dhe William Gallas kur kulmi për Arsenalin erdhi në minutën e 44′ kur Fabregas ndëshkohet me karton të verdhë dhe ndeshjen e ardhshme do të mungojë në Camp Nou.
Rezultati në fund të pjesës së parë në Emirates: 0-0.
Pjesa e dytë
Se Barcelona dëshironte një gol në udhëtim,këtë e vërteton Ibrahimovic i cili shënon për 1-0 , pas një asistimi të Xavit. Ndodhi kjo në minutën e 46′.
Në ato momente Barcelona krijonte aksione vazhdimisht kurse Arsenal mbështetej tek kundërsulmet. Një krosim perfekt për Bendtner, ky i fundit godet fuqishëm me kokë, por intervenon për mrekulli Valdes.
Dominim i ekipit spanjoll vazhdonte edhe më tutje. Një pasim i Xavit për Ibran dhe suedezi me origjinë boshnjake me anë të një goditjeje të fuqishme, mposht për së dyti herë portierin e Almunia duke dyfishuar epërsinë për Barcelonën, në minutën e 59.
Gjërat flisnin në të mirë të Blaugranëve. Po zhvillohej një lojë e qetë në ato çaste. Wenger kryen edhe zëvendësimin e tretë. Theo Walcott inkuadrohet në vend të Sagnas.
Sjell gjallëri Walcott.Në minutën e 69′ pas një pasimi të Bendtner, Walcott me shpejtësinë e tij si të një ‘motori’ e kalon Maxwell dhe shënon për 2-1.
Tani brohoroasin tifozët e Arsenal. Natyrisht janë shumë të motivuar sepse ekipi i tyre kishte shumë kurajo dhe vazhdonte më tej duke krijuar raste. Barcelona dukej e lodhur dhe Leo Messi nuk vraponte më.
I mrekullueshmi Walcott kroson për Fabregas por spanjolli ndalet në mënyrë të palejueshme nga Carles Puyol dhe penalti për Arsenalin, kurse në anën tjetër Puyol ndëshkohet me karton të kuq dhe nuk do të luajë në Camp Nou.
Përgjegjësinë e merr Cesc Fabregas, i cili nuk dështon dhe shënon për të barazuar në 2-2. Gjatë procesit së goditjes, spanjolli u lëndua dhe çalonte deri në fund të lojës.
Deri në fund të ndeshjes kishte presion nga Arsenal dhe të gjithë lojtarët e Barcës ishin rikthyer prapa.
Category: Futboll
0 Komente