Totti: Ja pse e godita Balotellin
Kapiteni i Romës, Francesco Totti ka sqaruar pas ndeshjes finale të Kupës së Italisë, në të cilën skuadra e tij pësoi humbje nga Interi (0:1), përse shkaktoi ndërhyrje brutale ndaj Mario Balotellit.
Në fakt, në minutën e 88-të, Totti i shkoi prapa shpinës Balotellit dhe e goditi qëllimisht, për çka u ndëshkua me karton të kuq. “Momentet e nervozizmit ndodhin kur bëhet fjalë për një ndeshje aq të rëndësishme. Nuk mund të injoroni gjithmonë ofendimet e mëdha në fushën e gjelbër, direkte apo indirekte, të cilat përpiqen ta njollosin këtë qytet apo njerëzit në përgjithësi”, ka theksuar Totti, duke shtuar: “Mbi të gjitha është vështirë të përmbahesh kur ofendimet gjithmonë vijnë nga i njëjti person, i cili ofendimet sistematike i ka shprehi. E godita Balotellin sepse ai më ofendoi dy herë, por edhe për atë që bëri vitin e kaluar në ‘Guiseppe Meazza”, kur shkoi për të provokuar tifozët tanë”. Pritet që Totti për këtë veprim josportiv të dënohet me dy apo tri ndeshje moslojë.
Category: Futboll
0 Komente