Portugalia bombardon Korenë e Veriut

dardanmiftari | Monday, June 21, 2010 | 0 Komente

Kombëtarja e Portugalisë ka bërë një lojë po thuajse të përkryer në pjesën e dytë të ndeshjes për të shtypur Korenë e Veriut me një fitore të thellë prej 7-0 dhe për të siguruar vend në rundin e ardhshëm të Kupës së Botës.
Edhe pse pati 15 tentime për shënim pjesa e parë solli vetëm një gol të vetëm. Pas një asistimi të Thiago në minutën e 29-të të lojës, Raul Meireles kaloi ekipin portugez në epërsi për ta çuar të qetë në pauzën mes pjesëve.
Portugezët filluan edhe pjesën e dytë me shumë vrull, duke shënuar tre gola të shpejtë. Tetë minuta në pjesë së dytë ishte Simao i cili dyfishoi epërsinë pas një loje të mirë nga Hugo Almeida dhe Meireles (53’), ndërsa pas edhe tre minutash tjera në listën e golashënuesve u shënua Almeida (56’). Hovi i portugezëve nuk ndaloi, pasi kur u bënë një orë lojë në stadiumin Ellis Park në Johannesburg, Ronaldo shmangu pozitën jashtë loje për të asistuar për Thiagon që shënoi golin e katërt në ndeshje (60’).
Pas njëzet minutash pa gola, rrjetat përsëri u tundën tre herë në 10 minutat e fundit. Së pari Liedson shënoi me anë të një goditje të fuqishme (81’), para se në listën e shënuesve të shkruhet edhe Cristiano Ronaldo (88’) dhe për të dytën herë edhe Thiago (89’).
Fitorja tashmë pothuajse i siguron Portugalisë kualifikim në rundin e ardhshëm pasi është gati e pamundur që Bregu i Fildishtë të kualifikohet duke marrë parasysh golaverazhin tejet të mirë të Portugalisë, ndërsa pozita e parë do të vendoset në rundin e fundit të fazës grupore, kur Portugalia do të përballet me Brazilin.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...