Shearer: Capello fajtor për eliminimin

dardanmiftari | Tuesday, June 29, 2010 | 0 Komente

Ish-futbollisti i kombëtares angleze, Alan Shearer, ka thënë se fajtor për eliminimin e turpshëm të Anglisë nga Botërori është Fabio Capello dhe jo lojtarët e Anglisë.
“Kjo që do të them është gjëja më e keqe që mund t’i thuash një menaxheri, është sikurse lojtarët e Anglisë nuk dëshironin të luanin për të. Kishte diçka fundamentalisht të gabuar në shtabin anglez dhe vetëm ata që kanë qenë të pranishëm i dinë problemet reale dhe mund t’iu tregojnë të vërtetën. Nga jashtë, u duk sikurse skuadra ishte e burgosur. Kur ata dolën në skenë, ata u shfaqën të sëmurë, të papërgatitur dhe krejtësisht konfuz. John Terryt i shpëtoi diçka në deklaratën pas ndeshjes ndaj Algjerisë”.
“Unë nuk mund të jem kundër të huajve vetëm për arsye se Capello dështoi të na kualifikonte në çerekfinale. Unë kam thënë që nga emërimi i Sven Goran Eriksson se na duhet një përzgjedhës anglez. Ne kemi sjellë shumë trajnerë të suksesshëm, madje që kanë listë të gjatë të të arriturave në nivel të klubeve. Por ata i kanë dhënë pak kombëtares tonë. Unë mendoj se kemi mjaft lojtarë kualitativë të cilët mund të bëjnë shumë më shumë se që kanë bërë këtë Botëror. Pse dështuan ata?”.
“Unë e di se lojtarët duhet të pranojnë pjesën e tyre të fajit, por nuk pajtohem me faktin se ata janë të mbipaguar dhe nuk kujdesen mjaft sepse ata jetojnë me kokë në qiell dhe duken shumë të mbrojtur. Nuk më intereson nëse një lojtar paguhet 1 mijë apo 100 mijë funte në javë. Ai dëshiron të fitojë, dëshiron sukses në fushë dhe pas karrierës të shikoj në vitrinën e tij shumë medalje. Çfarë u duhet lojtarëve është atmosfera dhe përgatitja e duhur, gjë që nuk është e pranishme në kombëtaren angleze”.
“Unë i kam shikuar paraqitjet e Argjentinës dhe i krahasova ato me të tonat. Ndyshe prej Anglisë, ata kanë vuajtur derisa janë kualifikuar. Por, që prej fillimit të Botërorit ata janë shfaqur impresiv. Ata kanë në krye Diego Maradonën dhe shikoni si të doni, por ai nuk është strateg. Çfarë posedon ai është raporti i mirë me lojtarët. Ata e respektojnë atë dhe ai duket se është pjesë e ekipit, duke u kënaqur dhe festuar fitoret me pasion të madh. Nuk mendoj se këtë e kemi parë tek Capello dhe lojtarët e tij”, deklaroi Shearer.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...