Holanda dërgon Brazilin në shtëpi
Përfaqësuesja e Holandës në mënyrë sensacionale e ka përmbysur epërsinë e Brazilit, për të shënuar fitore prej 2-1 dhe për të siguruar kalimin në gjysmëfinale të Kampionatit Botëror, Afrika e Jugut 2010.
Brazili shfaqi lojë më të mirë në gjysmën e parë të takimit duke arritur të realizojë një herë. Një superpasim të Felipe Melos e pranoi Robinho, i cili me lehtësi e mposhti portierin Stekelenburg (10’) dhe me epërsi minimale të Selecaos përfundoi pjesa e parë.
Gjysma e dytë ishte edhe më dinamike, me Holandën që kërkonte golin e barazimit. Pas një krosimi të Wesley Sneijder dhe një daljeje të gabuar të portierit Cesar, Felipe Melo shënoi në portën e tij (53’) për ta barazuar rezultatin.
Pas golit të shënuar, holandezët përmirësuan gjithnjë e më shumë lojën e tyre dhe në këtë mënyrë arritën deri te goli i avantazhit. Arjen Robben krosoi nga këndi, Dirk Kuyt pasoi me kokë te Wesley Sneijder, dhe ky i fundit po me kokë shënoi për rezultatin 2-1 (68’) në favor të përfaqësueses së tij.
Gjërat për brazilianët i përkeqësoi edhe më shumë Felipe Melo, i cili u përjashtua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje josportive ndaj Arjen Robben (73’).
Deri në fund të takimit nuk pati gola, dhe skuadra me fanellat ngjyrë portokalli iu gëzua fitores në stadiumin Nelson Mandela Bay në Port Elizabeth.
Në gjysmëfinale, Holanda do të përballet me fituesin e takimin ndërmjet Uruguait dhe Ganës.
Category: Afrika e Jugut 2010

















0 Komente