Spanja me vështirësi në gjysmëfinale
David Villa edhe një herë është treguar vendimtar, pasi shënoi golin e vetëm të Spanjës në fitoren 1-0 ndaj Paraguait, gol që e kualifikon kampionin e Evropës në gjysmëfinalen e Kupës Botërore.
Pavarësisht se është pritur një lojë shumë më sulmuese e tyre, spanjollët edhe një herë nuk treguan ndonjë paraqitje shumë mbresëlënëse, megjithatë arritën të kualifikohen në katërshen më të mirë të botës.
Pas një pjese të parë të ekuilibruar dhe me pak raste, pjesa e dytë solli pak më shumë dramë. Paraguai fitoi një penalti pas gati një ore lojë (59') pas një ndërhyrje të Gerard Pique në zonën e rreptësisë, por nga pika e bardhë dështoi të shënojë Oscar Cardozo, goditja e të cilit u mbrojt nga portieri Iker Casillas.
Pas vetëm dy minutash tjera, penalti u akordua në anën tjetër, ndërsa Xabi Alonso edhe pse shënoi në tentimin e parë, ky nuk u pranua dhe mesfushori dështoi të shënojë në tentimin e dytë nga pika e bardhë.
Por, si edhe në ndeshjen e kaluar ndaj Portugalisë, David Villa doli në skenë kur ekipi më së shumti kishte nevojë për të. Me edhe tetë minuta të mbetura deri në fund të ndeshjes, Villa shënoi një shtylla-gol, pas një topi të kthyer po nga shtylla pas një goditje jo precize të Pedro Rodriguez.
Paraguai pati një rast të artë në minutën e 89-të të ndeshjes, por Iker Casillas sërish u tregua vendimtar për të parandaluar barazimin. Ndërkaq në anën tjetër spanjollët tentuan të shënojnë me disa kundërsulme, por rezultati nuk ndryshoi.
Fitorja e sheh Spanjën në gjysmëfinale ku do të ketë përballë një rival të vështirë, Gjermaninë, që deri tash është treguar shumë i fuqishëm duke eliminuar favoritët e turneut si Anglinë dhe Argjentinën.
Category: Afrika e Jugut 2010

















0 Komente