Sevilla mposht Barcelonën
Sevilla është fituese e ndeshjes së parë të Superkupës së Spanjës, pasi që ka djegur Barcelonën në Ramon Sanchez Pizjuan, ku mbretëroi atmosferë fantastike.
Barcelona në këtë ndeshje u paraqit me mungesa të mëdha. Xavi, Iniesta dhe Messi janë ndër të munguarit kryesorë, ashtu si Victor Valdes, ndërsa këta u zëvëndësuan nga lojtarë të akademisë. Sevilla u paraqit me formacionin më të fortë.
Ndeshja u ndez në minutën e 20-të. Zlatan Ibrahimovic shënoi pas një topi të mirë të pranuar nga Maxwell, për ta zhbllokuar rezultatin dhe për të heshur tifozët e pranishëm në impiant.
U desh të kalonin një orë lojë (61’) për të ndodhur rikthimi sensacional. Një top fantastik të Cigarinit e shfrytëzoi për mrekulli Luis Fabiano që tejkaloi mbrojtësin Sergi Gomez për ta barazuar rezultatin.
Pas një aksioni fantastik të organizuar nga Diego Perotti dhe Alvaro Negredo, është ky i fundit që nxori para portës Frederic Kanouten, që lehtë shënoi për epërsinë e Sevillës (73’). Guardiola inkuadroi Messin në minutën e 52-të në vend të Ibrahimovicit, por argjentinasi nuk është vërejtur.
Minuta e 83-të ishte fatale për Barcelonën. Një harkim të mrekullueshëm të Diego Perottit i cili u nxjerr i vetmuar nga Jesus Navas, e shfrytëzoi kush tjetër pos Frederic Kanoutes për ekzaltin në Ramon Sanchez Pizjuan dhe për rezultatin përfundimtar 3-1.
Ky llogaritet si dështimi i parë i Barcelonës në start të sezonit të ri, kurse për Sevillën fitimi i ndeshjes së parë përbën sukses të jashtëzakonshëm, sidomos nëse marrim parasysh rikthimin sensacional ndaj ekipit më të fortë në botë, Barcelonës, që sonte nuk ishte as për së afërmi ekpi që të gjithë e njohim. Sistemi i finales së Superkupës së Spanjës është i panatyrshëm, pasi që zhvillohen nga dy ndeshje. Pasi që ndeshja e parë u zhvillua, ndeshja kthyese zhvillohet tani në Camp Nou më 21 gusht ku Barcelona do të duhet të kthejë dizavantazhin prej 3-1 nga ndeshja e parë.
Category: Futboll
0 Komente