Humbet Tottenhami, Liverpooli barazon
West Ham United ka shënuar fitoren e parë të sezonit duke mposhtur njërin prej favoritëve për katërshen më të mirë, Tottenhamin.
Pasi u eliminua nga Kupa Carling nga Arsenali në mesjavë, të zgjedhurit e trajnerit Harry Redknapp edhe një herë dështuan të shënojnë fitore, kësaj here në Upton Park.
Frederic Piquionne çoi në avantazh ekipin vendas pas më pak se gjysmë ore lojë, gol që ishte i mjaftueshëm për t’i siguruar tre pikë West Hamit.
Edhe Liverpooli ka dështuar të nxjerrë më shumë se një pikë në takimin si nikoqir i Sunderlandit. Redsat kaluan në avantazh që në fillim të ndeshjes me anë të Dirk Kuyt (4’), por mysafirët barazuan që në pjesë të parë falë një penaltie të shndërruar në gol nga Darren Bent (25’).
Me të filluar pjesa e dytë Bent shënoi golin e dytë dhe të avantazhit për Sunderlandin (48’), por pas pak më shumë se një ore lojë, kapiteni Steven Gerrard shënoi për të barazuar dhe vulosur rezultatin (64’).
Sot ishte dita e dështimeve për favoritët, pasi më keq se Liverpooli pësuan edhe Chelsea dhe Arsenali, të cilët u mposhtën nga Manchester City, respektivisht West Bromwich Albion.
Category: Futboll
0 Komente