Tevez shpëton Cityn nga turpi
Carlos Tevez edhe njëherë ishte krucial për Manchester Cityn, pasi që shpëtoi ‘qytetarët’ nga turpi në ndeshjen ndaj Blackpoolit, të cilën City e fitoi me rezultat 3-2.
Pjesa e parë përfundoi pa gola, me lojë më të mirë të treguar nga Blackpooli, që shkeli në çdo aspekt Cityn. Edhe në pjesën e dytë pamë fotografi të njejtë, pasi që Blackpooli po e dërrmonte skuadrën e Roberto Mancinit.
Megjithatë, diçka për të thënë kishte Carlos Tevez që shpejt u bë protagonisti i ndeshjes. Pas një pasimi të mirë të David Silvas, ishte Tevez ai që heshti tifozët në stadiumin Bloomfield Road për 1-0 (67’).
Përgjigja e vendasve erdhi shpejtë, me anë të golit të shënuar nga Marlon Harewood (78’) që barazoi rezultatin në 1-1. Gëzimi i tifozëve të Blackpoolit zgjati vetëm dy minuta, pasi që Carlos Tevez i dha fundin takimit me golin e tij të dytë në këtë takim dhe të pestin në këtë sezon.
Megjithatë, ky nuk ishte fundi i kësaj sfide dramatike, pasi që David Silva (89’) realizoi për 3-1, ndërsa rezultatin përfundimtar në 3-2 e vendosi Taylor-Fletcher.
Manchester City me këtë fitore e sheh veten në pozitën e dytë me 17 pikë, dy më pak se lideri Chelsea.
Category: Futboll
0 Komente