Reali në çerekfinale pas gjashtë vitesh

dardanmiftari | Wednesday, March 16, 2011 | 0 Komente

Skuadra me më shumë tituj në Ligën e Kampionëve, Real Madrid, e ka mposhtur Lyonin me rezultat 3-0 në ndeshjen kthyese të 1/8 së finales të kësaj gare, për t’u kualifikuar në çerekfinale për herë të parë pas gjashtë sezonesh.
Takimi i parë i zhvilluar në Stade Gerland përfundoi me rezultat të barabartë 1-1, ndërsa pas ndeshjes kthyese në Santiago Bernabeu, Real Madridi kualifikohet në çerekfinale me rezultat të përgjithshëm prej 4-1.
Mbretërit luajtën më mirë në pjesën e parë, edhe pse nuk dominuan bindshëm, megjithatë e menaxhuan më mirë takimin dhe arritën të dalin fitimtarë të fraksionit të parë të lojës.
Pas një superdepërtimi, Marcelo në kombinim me Cristiano Ronaldon, bëri që të thyhet mbrojtja mysafire, dhe braziliani arriti ta mposhtë “të pamposhtshmin”, Hugo Lloris (37’).
Pas golit të parë, Reali pati edhe dy raste tjera të mira përmes Karim Benzemas, të cilit iu anulua një gol për shkak të pozitës jashtë loje.
Gjysma e dytë e takimit nuk e pati atë dinamizmin e pjesës së parë, mirëpo aty ishte Benzema për të dënuar sërish ish-skuadrën e tij dhe për të shënuar golin e sigurisë për Los Blancos (66’).
Një pasim të Mesut Oezil e shfrytëzoi në mënyrë të mrekullueshme Angel Di Maria, i cili në mënyrë maestrale shënoi golin e tretë për vendasit dhe vendosi rezultatin përfundimtar të takimit.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...