'el Clasico' e parë, barazim

dardanmiftari | Saturday, April 16, 2011 | 0 Komente

Derbi më i madh botëror i futbollit, ‘el Clasico’, i zhvilluar të shtunën mbrëma ndërmjet Real Madridit dhe Barcelonës ka përfunduar me rezultat të barabartë prej 1-1. Dy fuqitë e futbollit botëror dhanë një spektakël në fraksionin e parë, por fatkeqësisht rrjetat heshtën. Barcelona zhvilloi lojën e vet të zakonshme me administrimin e lojës në mesfushë dhe me posedimin e topit, dhe njëherit duke krijuar raste. Ndërkohë, Real Madridi u mbështet në lojën defensive me krijimin e rasteve përmes kundërsulmeve. Nga rastet e mysafirëve veçojmë dy shanset e shkëlqyera të Leo Messit, të cilat ia mohoi në mënyrë të jashtëzakonshme Iker Casillas, ndërsa një rast të mirë për Realin e pati në fund të gjysmës së parë Cristiano Ronaldo, por goditjen e tij me kokë e ndali mbrojtja e Barcës. Në minutat e para të pjesës së dytë (52’), Raul Albiol ishte lojtari tragjik i Los Blancos, pasi ndali topin me dorë dhe ndërhyri në David Villan brenda gjashtëmbëdhjetëmetërshit, për ta përfunduar ndeshjen para kohe dhe për t’ua dhuruar mysafirëve një penallti. Përgjegjësinë nga pika e bardhë e mori Leo Messi, i cili realizoi golin e 30-të në La Liga dhe të parin kundër një ekipi që drejton Jose Mourinho (53’). Pas golit të shënuar, Barca filloi ta diktojë lojën me qetësi, mirëpo përkundër disavantazhit në numrin e lojtarëve, vendasit vazhduan të tregoheshin të rrezikshëm dhe të tentonin ta pengojnë humbjen e gjashtë radhazi në Kampionat nga Blaugranët. Në vazhdim të lojës Mbretërit ishin më kërkues të golit të barazimit, ndërsa këtë ua mundësoi arbitri, i cili akordoi penallti pas ndërhyrjes së Dani Alves në Marcelon. Ishte Cristiano Ronaldo lojtari që u paraqit përballë Valdes dhe shënoi golin e parë në karrierë kundër Barcelonës (82’). Kjo ndeshje shënon përballjen e parë nga katër përballjet e dy gjigantëve të futbollit botëror, që në vazhdim do të zhvillojnë edhe finalen e Kupës së Mbretit dhe dy ndeshjet gjysmëfinale në Ligën e Kampionëve.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...