Guardiola: Reali favorit në El Clasico

dardanmiftari | Saturday, April 16, 2011 | 0 Komente

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, beson se Real Madridi do të hyjë si favorit në ndeshjen El Clasico që zhvillohet në Bernabeu me fillim nga ora 22:00. “Unë gjithmonë kam pasur respekt për Realin. Ky Real është më i miri se ai ndaj të cilit kemi luajtur më parë. Ata hyjnë në këtë ndeshje si favoritë. Nëse humbasim në Bernabeu, kemi rrugë të gjatë para vetes, por duhet të fitojmë në Bernabeu nëse e duam titullin”.Guardiola shfaqi respekt për ekipin e Realit, përderisa ua tërhoqi vërejtjen lojtarëve të tij që të jenë të kujdesshëm. “Lojtarët e Realit godasin më shumë, kërcejnë më shumë dhe janë më të shpejtë dhe më të fuqishëm se lojtarët tanë. Unë nuk kam parë ende ekip që luan në hapësira të tilla – ata me tri prekje shënuan gol. Ne duhet ta largojmë topin nga Victor Valdesi për të krijuar një mundësi, kurse atyre u duhen vetëm tri sekonda”, theksoi tekniku katalanas. I pyetur për atë se si e sheh faktin që homologu i tij, Jose Mourinho ka vendosur që të mos flasë në konferencën për shtyp, Guardiola u shpreh: “Gjithë ajo që them do të krahasohet me atë që tha zotri Mourinho, të gjithë bëjnë atë që duan në klubin e tyre, nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë”. “Ai di si të luajë në mënyra të ndryshme, ai e bëri këtë edhe me Interin, një stil në ndeshjen e parë dhe një tjetër në ndeshjen kthyese. Ai është shumë i shkathtë në ndërrimin taktik të ekipit të tij”, përfundoi Guardiola. Barcelona dhe Real Madridi do të përballen edhe tri herë pas të shtunës – më 20 prill, 27 prill dhe 3 maj.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...