Ndeshja Shqipëri – Francë do të luhet në Prishtinë?

dardanmiftari | Thursday, April 21, 2011 | 0 Komente

Stadiumi i Prishtinës mund të jetë fusha nikoqire e kombëtares shqiptare për ndeshjet e mbetura kualifikuese për Euro 2012, me ndeshjen e parë që do të ishte ajo kundër Francës më 2 shtator.
Federata Shqiptare e Futbollit i ka bërë kërkesë Klubit FC Prishtina, për të vlerësuar gjendjen e stadiumit me qëllim që ndeshjet e kombëtares të zhvillohen në këtë fushë deri në rindërtimin e stadiumit të ri kombëtar në Tiranë.
“Falënderojmë shtetin shqiptar, Federatën e Futbollit të Shqipërisë dhe presidentin e saj, Armand Duka për gatishmërinë që ka treguar për të sjellë në stadiumin e Prishtinës kombëtaren shqiptare. Dhe jo vetëm atë por edhe të gjithë kundërshtarët e saj të mbetur deri në fund të kualifikimeve për Euro 2012”, ka thënë Presidneti i FC Prishtina, Remzi Ejupi, në një konferencë për media të organizuar në Prishtinë.
Megjithatë për t’u mundësuar kjo Stadiumi i Prishtinës ka nevojë për investime të theksuara, pohon ai.
“Për fillim dua të sqaroj se UEFA sipas rregulloreve të saj lejon zhvillimin e ndeshjeve të një kombëtareje jashtë territorit të saj dhe pengesa të tilla nuk ka. Për të sjellë në Prishtinë kombëtaren shqiptare dhe kundërshtarët e saj të radhës, duhen investime në përmirësimin e infrastrukturës, gjegjësisht përmbushjes së standardeve për ndeshje ndërkombëtare si i sheh UEFA dhe FIFA”, ka thënë presidenti i klubit Prishtina.
Ai ka theksuar se stadiumi ka nevojë për bar dhe ndriçim të standardeve të pranuara nga UEFA e FIFA. Për më tepër ka nevojë për semaforin e stadiumit, pastaj hapësirën VIP dhe hapësirën për media, në mes shumë nevojave të tjera bazike.
Për të realizuar qëllimin drejtuesit e FC Prishtina shpresojnë edhe në mbështetje të institucioneve shtetërore, si Presidencës, Ministrisë së Sportit dhe Qeverisjes Lokale.
“Nuk kemi kohë, dhe për këtë po ju dëshmoj faktin se Federata Shqiptare e Futbollit duhet të lajmërojë stadiumin nikoqir 60 ditë para ndeshjes, sipas rregullores se UEFA-së”, ka shtuar më tej Remzi Ejupi.
Ndeshja e radhës kualifikuese për Euro 2012 për Shqipërinë do të jetë më 2 shtator kur kuqezinjtë do të jenë nikoqir të Francës, pas të cilës do të ishim nikoqirë të Rumanisë më 11 tetor të po këtij viti.


Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...