Carvalho pensionohet nga përfaqësuesja
Mbrojtësi i Real Madridit, Ricardo Carvalho, ka lëshuar një komunikatë përmes së cilës ka njoftuar për pensionimin nga përfaqësuesja e Portugalisë.
33-vjeçari u largua nga fusha stërvitore të mërkurën, pasi kishte kuptuar se nuk do të ishte startues në ndeshjen e të premtes ndaj Qipros, ashtu që vendosi të mos udhëtonte drejt Nicosias, dhe i ka dhënë fund qëndrimit në kombëtare, sepse mendon se meriton trajtim më të mirë.
“Ndjehem në formë të shkëlqyer, fizikisht dhe mendërisht, ashtu siç edhe kanë treguar performancat e mia për klubin dhe ekipin kombëtar”.
“Nëse ata më bëjnë të ndjehem sikur barrë dhe nuk ma thonë, e vetmja mundësi është që të largohem”.
“Nuk e kam planifikuar ta përfundoj karrierën me kombëtaren në këtë mënyrë, por e bëj këtë me bindje të plotë se gjithmonë e kam nderuar vendin tim”, ka deklaruar mbrojtësi i Realit.
Carvalho ka debutuar për Portugalinë në vitin 2003 në një ndeshje kundër Shqipërisë, ndërsa gjatë karrierës ka bërë 74 paraqitje dhe ka shënuar katër gola.
Category: Futboll
0 Komente