Lideri pandalshëm
Manchester City ka regjistruar fitoren e radhës në Ligë Premier duke mposhtur Wolverhamptonin me rezultat 3-1.
Të gjithë golat e ndeshjes së zhvilluar në Etihad Stadium u shënuan në gjysmën e dytë, ndërsa ishte Edin Dzeko lojtari, i cili pas asistimit të Kun Agueros i kaloi vendasit në epërsi (52’).
Aleksandar Kolarov dyfishoi epërsinë me ndihmën e David Silvas (67’), ndërsa më pas (75’), u akordua penalti për mysafirët dhe Vincent Kompany u përjashtua me karton të kuq. Stephen Hunt ishte i saktë nga pika e bardhë për të ngushtuar epërsinë.
Mirëpo, përkundër inferioritetit numerik në fushë, City arriti të shënojë edhe një herë, ndërsa realizues ishte Adam Johnson (90’).
Pas kësaj fitoreje, Manchester City përforcon edhe më shumë kreun me pesë pikë diferencë nga përcjellësi i parë, Manchester United.
Category: Futboll
0 Komente