Barcelona fiton në Santiago Bernabeu

dardanmiftari | Saturday, December 10, 2011 | 0 Komente

Real Madridi nuk ka arritur ta thyejë ‘tabunë’ e quajtur Barcelona, pasi sërish është turpëruar në Santiago Bernabeu me rezultat 1-3.
Edhe pse të gjithë analistët e futbollit mendonin se Los Merengues kanë arritur nivelin e katalunasve, superderbi evropian e dëshmoi të kundërtën- Barcelona vazhdon të jetë më e fortë.

Pjesa e parë

Vetëm 22 sekonda pas fishkëllimës së parë të gjyqtarit, vendasit krijuan epërsi pas një gabimi të portierit Valdes, ndërsa realizues ishte Karim Benzema.Një gabim e bëri edhe Sergio Ramos, nga i cili nuk arriti të përfitojë Lionel Messi, pasi goditjen e tij e mbrojti Iker Casillas.
Një rast shumë të volitshëm e pati edhe Cristiano Ronaldo, i cili pranoi një top të mirë nga Benzema, mirëpo goditja e tij përfundoi jashtë kuadratit të portës.Derisa Los Blancos po zhvillonin lojë të mirë dhe po e dominonin takimin, Lionel Messi bëri nga ato magjitë e zakonshme të tij për ta nxjerrë Alexis Sanchezin ballë për ballë me Casillasin, dhe kiliani e barazoi rezultatin (30’).
Në vazhdim, Barcelona dalëngadalë filloi ta nivelizojë takimin dhe kohë pas kohe të imponojë lojën e vet në fushë, megjithatë Reali nuk ndalej së sulmuari.

Pjesa e dytë

Në fillim të fraksionit të dytë të lojës, Cristiano Ronaldo ekzekutoi dy gjuajtje të lira, mirëpo në asnjërën nuk u tregua i rrezikshëm.Minuta e 53-të ishte fatale për portierin Casillas, kur pas një goditje nga distanca të Xavit, Marcelo e devijoi topin në rrjet, për t’i kaluar mysafirët në epërsi.
Jose Mourinho reagoi menjëherë duke inkuadruar Ricardo Kaka (Mesut Oezil) dhe Sami Khedira (Lassana Diarra) për të freskuar skuadrën e tij. Mirëpo, pas një rasti të humbur nga Ronaldo, Blaugranët e shënuan golin e tretë.
Pas një krosimi brilant të Dani Alves, ish-lojtari i Arsenalit, Cesc Fabregas, shtangu tifozët në Bernabeu duke shënuar me kokë (66’).
As inkuadrimi i Gonzalo Higuain (Angel Di Maria) nuk po jepte rezultat për Mbretërit, përkundër se ata sulmonin dhe krijonin raste shënimi, Barcelona po e diktonte lojën e vetë në fushë.
Nga një rast të mirë shënimi e patën të dyja palët, mirëpo as Kaka e as Iniesta nuk shënuan, ashtu që takimi përfundoi me rezultat 3-1 në favor të Blaugranëve.
Me këtë fitore, Barcelona merr kreun e tabelës në La Liga me pikë të barabarta me Real Madridin që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...