Ndalet edhe Arsenali
Pas Chelseat, Manchester Cityt dhe Liverpoolit, edhe Arsenali ka barazuar në këtë xhiro të Ligës Premier. Në takimin e zhvilluar të martën në Emirates mes Topçinjve dhe Wolverhamptonit, nuk pati fitues pasi rezultati i fundit i ndeshjes ishte 1-1.
Vendasit patën posedimin në pjesën më të madhe të fraksionit të parë dhe padyshim që luajtën më mirë, megjithatë kur shkuan në pushim, rezultati ishte i barabartë.
Pas një kundërsulmi në minutën e tetë të ndeshjes, Gervinho arriti ta mposhtë portierin Hennessey për epërsinë e Arsenalit.
Mirëpo, Steven Fletcher pranoi një top nga Stephen Hunt dhe me kokë e nivelizoi takimin (38’).
Edhe në gjysmën e dytë ishin lojtarët e Arsenalit ata që e kërkonin golin e fitores, mirëpo nuk arrinin të shënonin sidomos falë intervenimeve të mira të portierit mysafir.
Në minutën e 75-të, Nenad Milijas u përjashtua me karton të kuq pas një vendimi kontrovers të arbitrit, i cili i la Wolvesat me një lojtar më pak në periudhën e fundit të ndeshjes.
Megjithatë, Topçinjtë nuk arritën ta shënojnë golin që do t’ua siguronte tre pikë të plota nga kjo përballje.
Ky barazim e lë Arsenalin në pozitën e pestë në tabelë me 12 pikë më pak se liderët, Manchester City dhe Manchester United.
Category: Futboll
0 Komente