Chelsea sfidon Barcën
Skuadra e Chelseat do të jetë rivali i Barcelonës në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, pasi në çerekfinale eliminoi Benfican me rezultat të përgjithshëm prej 3-1.
Një javë më parë Blutë triumfuan me rezultat 1-0 në Estadio da Luz, ndërsa edhe në ndeshjen kthyese në Stamford Bridge, Chelsea fitoi me rezultat 2-1.
Ndërhyrjen e Javi Garcias ndaj Ashley Cole në zonë, gjyqtari e ndëshkoi me penalti. Përgjegjësinë e mori Frank Lampard dhe rezultoi i saktë (21’).
Gjërat për mysafirët u përkeqësuan kur Maximiliano Pereira mori kartonin e dytë të verdhë pas ndërhyrjes ndaj Obi Mikel, duke i lënë portugezët me një lojtar më pak në fushë (40’).
Në fillim të gjysmës së dytë, të dyja skuadrat patën nga një rast të mirë. Fillimisht Cech ndali një goditje të Gaitan, ndërsa më pas Ramires nuk arriti të shënojë në anën tjetër.
Në vazhdim, mysafirët tentonin të ndryshojnë rezultatin, por nga ana tjetër rrezikonin të pësonin edhe golin e dytë nga ofensiva e vendasve.
Megjithatë, portugezët arritën që ta barazojnë rezultatin. Pas një krosimi nga këndi të Aimar, Javi Garcia mposhti portierin Cech (85’).
Por, çdo shpresë të Benficas e shoi Raul Meireles me një supergol në minutat shtesë (90’+2).
Në gjysmëfinale, Chelsea do të luajë kundër Barcelonës, që në çerekfinale eliminoi Milanin.
Category: Futboll

















0 Komente