Interi dhe Roma fitojnë
Interi ka shënuar fitore në duelin e zhvilluar ndaj Sienës në Giueseppe Meazza me rezultat 2-1, teksa nga ana tjetër edhe Roma shënoi fitore me rezultat të 3-1 ndaj Udineses në Olimpico.
Mbrojtja e Interit edhe njëherë tregoi dobësitë. D’Agostino pas gjashtë minutash lojë kaloi në epërsi mysafirët nga Siena, për të nervozuar Nerazzurët të cilët e morën tejet seriozisht takimin.
Pas rasteve të shumta, Diego Milito shënoi për 1-0 (42’), ndërsa nga një penalti ishte përsëri El Principe ai që realizoi golin e tij të dytë në këtë takim dhe të 21-tin këtë sezon në Serie A për 2-1 dhe fitoren e madhe të Interit. Golit iu gëzuan Stramaccioni, Zanetti dhe 50 tifozë shqiptarë të cilët ishin të pranishëm në stadiumin Giuseppe Meazza.
Edhe Roma gëzoi tifozët e vet në Olimpico, përkatësisht ishte nata e kapitenëve. Kjo pasi Francesco Totti shënoi golin e fitores prej 2-1 në minutën e 86-të, por para tij realizuan edhe Osvaldo (8’) dhe Fernandes (43’). Për 3-1 dhe rezultatin përfundimtar shënoi Marquinho (92’), i cili fut seriozisht Romën në garë për vendin e tretë në Serie A.
Gjashtë javë pa përfunduar sezoni në Serie A, Roma ka 50 pikë në vendin e pestë, katër pikë më pak se vendi i tretë Lazio, kurse Interi që në fundjavë takohet me Udinesen ka 48 pikë në vendin e shtatë dhe po ashtu është në garë për vendin e tretë pasi gjashtë pikë është diferenca me Lazion. Nëse Interi mposht Udinesen dhe Lazion në transfertë në dy ndeshjet e ardhshme, atëherë vendi i tretë për zikaltrit nuk është utopi.
Category: Futboll
0 Komente