Triumfon Bayerni (VIDEO)

dardanmiftari | Tuesday, April 17, 2012 | 0 Komente

Me rezultat prej 2-1 në favor të skuadrës vendase është mbyllur sfida e parë gjysmëfinale e Ligës së Kampionëve që u zhvillua të martën mbrëma mes Bayern Munichut dhe Real Madridit në Allianz Arena.
Pas një fillimi të zbehtë, rastin e parë në ndeshje e pati Karim Benzema në minutën e shtatë, mirëpo goditjen e tij e mbrojti portieri Neuer. Për një periudhë kohe u duk se lojtarët mysafirë do ta dominojnë ndeshjen, megjithatë gjërat ndërruan shumë shpejtë.

Ishte minuta e 15-të kur Franck Ribery kërkoi penalti, mirëpo xhirimet treguan se vendimi i arbitrit Howard Webb ishte i drejtë.Megjithatë, nuk kaloi shumë kohë dhe vendasit kaluan në avantazh. Pas një krosimi nga këndi, Sergio Ramos nuk pastroi si duhet dhe aty ishte Franck Ribery për ta ngulitur topin në portën e Casillas (17’).

Në vazhdim loja bartej sa në njërën, ashtu edhe në anën tjetër, me Real Madridin që kërkonte të shënojë, megjithëse jo më pak të rrezikshëm shfaqeshin edhe lojtarët e Bayernit. Vlejnë të përmenden dy raste të mira për të dyja ekipet – Benzema për mysafirët dhe Mario Gomez për vendasit, por në të dyja rastet më të suksesshëm dolën portierët.

Edhe në gjysmën e dytë të takimit loja e bukur nuk pati të ndalur. Ishte skuadra mysafire që në fillim të kësaj pjese u tregua më e suksesshme. Pas disa rasteve më në fund Mbretërit arritën të shënojnë.Benzema u hap nga krahu për të dërguar një top në zonë, të cilin Ronaldo e ktheu te Mesut Oezil dhe gjermani e barazoi rezultatin nga afërsia (53’).

Në vazhdim të ndeshjes, ekipi vendas luajti më mirë duke kërkuar që ta rikthente avantazhin me raste të njëpasnjëshme, ndërkohë që Gomez disa herë dështoi të shënonte.

Dhe në fund, pas gjithë atyre rasteve të humbura, ishte pikërisht Mario Gomez lojtari hero i bavarezëve këtë mbrëmje, pasi që pas një krosimi të ulët të Lahm e shënoi golin e fitores për Bayernin (90’).Ky rezultat lë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit që zhvillohet në Santiago Bernabeu. Real Madridit i duhet vetëm fitorja, ndërsa Bayern Munichu mund të kualifikohet në finale edhe me barazim.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...