Finalja botërore e Red Bull Paper Wings 2012 (FOTO)
Aeroplanë prej letre të ndërtuar nga konkurrentët e 83 shteteve të ndryshme të botës, pushtuan ambientet e Hangar-7, në Salzburg, Austri, për finalen botërore të Red Bull Paper Wings 2012. Finalistë nga shtete të ndryshme të botës konkurruan në disiplinat “Koha më e gjatë në ajër”, “Distanca më e gjatë e përshkuar” dhe “Fluturimi më akrobatik”. Fitorja i shkoi Republikës Çeke, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe Polonisë dhe Libanit.
Pas suksesit të jashtëzakonshëm të këtij kampionati në 2006 dhe 2009, në Salzburg u mblodhën sërish këtë vit hedhësit më të mirë të aeroplanëve prej letre më 5 maj për të shpallur tre kampionët e botës për vitin 2012.Në kategorinë “Distanca më e gjatë e përshkuar”, Tomas Beck nga Republika Çeke arriti të hidhte aeroplanin e tij 50.37 metër larg, duke u shpallur fitues për këtë disiplinë. Vendi i dytë shkoi në Bonje Hercegovinë, me konkurrentin Almir Kisija dhe podiumi u plotësua me kampionin e botës të vitit 2009, kroatin Jovica Kozlica.
Libanezi Elie Chemaly arriti kohën maksimale të mbajtjes së aeroplanit në ajër, me 10.68 sekonda, duke u shpallur fitues në disiplinën “Koha më e gjatë në ajër”.Puna më e vështirë për jurinë ishte gjykimi për kategorinë “Fluturimi më akrobatik”, ku pjesë e panelit ishte tre-herë fituesi i Lojërave Olimpike, skiatori Thomas Morgenstern. Të pestë anëtarët e jurisë vendosën të vlerësonin me maksimumin e pikëve, jo një, por dy prej konkurrentëve, të cilët ishin amerikani Ryan Naccarato dhe polaku Tomasz Chodryra, duke ndarë së bashku vendin e parë në podium.
Edhe flamuri i Kosovës u valëvit në këtë konkurs botëror, duke u përfaqësuar nga: Ajet Basholli në disiplinën “Distanca më e gjatë e përshkuar”, Flakron Miftari për “Fluturimin më akrobatik” dhe Gëzim Hajrullahi për “Kohën më të gjatë në ajër”.
Rezultatet e disiplinës “Koha më e gjatë në ajër”:
1. Elie Chemaly (Liban), 2. Goekhan Emiroglu (Turqi), 3. Robi Fiser (Slloveni).
Rezultatet e disiplinës “Fluturimi më akrobatik”:
1. Tomasz Chodryra (Poloni), 1. Ryan Naccarato (SHBA), 3. Alfredo Ramirez (Kolumbi).
Rezultatet e disiplinës “Distanca më e gjatë e përshkuar”:
1. Tomas Beck (Republika Çeke), 2. Almir Kisija (Bosnie), 3. Jovica Kozlica (Kroaci).
Category: Air Race
0 Komente