Kuqezinjtë turpërohen në shtëpi
Kombëtarja e Shqipërisë ka pësuar humbje prej 2-1 nga Islanda në ndeshjen e zhvilluar të premten mbrëma në “Qemal Stafa”.
Në gjysmën e parë e takimit u shënuan dy gola, nga një për secilën përfaqësuese. Kombëtarja kuqezi krijoi më shumë raste shënimi, mirëpo u dënua nga një pakujdesi të mbrojtjes dhe portierit.
Ujkani hezitoi të dalë pas një topi të lartë në zonë dhe ekipi kundërshtar kaloi në avantazh, kur Bjarnason dërgoi topin në mes të këmbëve të portierit të Palermos (19’).
Megjithatë, epërsia e mysafirëve zgjati vetëm dhjetë minuta, pasi vendasit arritën të barazojnë në minutën e 29-të.
Pas një aksioni të kuqezinjve, Meha pasoi nga brenda zonës për Çanin, i cili shmangu mbulimin e dy mbrojtësve për të rikthyer baraspeshën në fushë.
Pjesa e dytë e takimit filloi me 20 minuta vonesë, pasi që gjyqtari vendosi për shtyrjen e fillimit të gjysmës së dytë për shkak të reshjeve të dendura.
Edhe në fraksionin e dytë, Shqipëria ishte dominuese, por e kishte të vështirë të arrinte deri te goli që do të siguronte fitoren.
Kur po afrohej fundi i takimit, trajneri De Biazi me intervenimet e tij bëri një skuadër mjaft ofensive, e cila me ngulm kërkonte golin e fitores, mirëpo ndodhi e kundërta.
Pas një gjuajtjeje të lirë nga mysafirët, Sigurdson ishte i saktë (81’), kjo edhe falë reagimit të vonshëm të portierit Ujkani.
Category: Futboll
0 Komente