UEFA shtyn ndeshjet në Izrael

Unknown | Wednesday, November 21, 2012 |


UEFA i ka komunikuar skuadrës së Atletik Bilbao se ka vendosur të pezullojë dhe të shtyjë për një datë të papërcaktuar ndeshjen e planifikuar për të enjten, atë të Europa League, ndaj skuadrës izraelite të Kiriat Shmona.
Skuadra spanjolle sapo ishte mbledhur në aeroport dhe po bëhej gati të udhëtonte drejt Izraelit kur ka mësuar për atentatin në një autobus në qendër të Tel Avivit, qytet ku pritej të ndalonte fluturimi i avionit të baskëve që më pas do të udhëtonte drejt Haifa.
Drejtuesit e Atletik Bilbaos menjëherë i kërkuan UEFA-s garanci për udhëtimin e tyre drejt Izraelit, duke bërë të qartë se nuk do të rrezikonin sigurinë e lojtarëve për këtë ndeshje futbollit. Pas rreth dy orësh negociata, është vendosur që takimi të shtyhet për një datë të pacaktuar, pasi edhe UEFA e ka cilësuar kritike dhe të pasigurt situatën në Izrael dhe ka vendosur të shtyjë ndeshjen ndërkombëtare të planifikuara atje gjatë kësaj periudhe.
Si rrjedhojë, lojtarëve të Atletik Bilbaos u është komunikuar të kthehen mbrapsht në shtëpi ndërsa që nesër fillojnë përgatitjet për ndeshjen e kampionatit që luajnë në fundjavë. (LajmeShqip.com)

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!