2012 Viti i artë i “Goleadorëve”

Lina's | Tuesday, December 25, 2012 |

Viti 2012 do të mbahet mend si viti i thyerjes së rekordeve për sa i përket golave të shënuar. Ky vit ishte më i frytshëm për njërin nga lojtarët më të mirë të të gjitha kohërave në futboll, Lionel Messi. Ylli argjentinas i Barcelonës e ka përfunduar këtë vit me 91 gola të shënuar në ndeshje zyrtare, duke regjistruar një rekord historik për botën e futbollit. Golat dhe spektakli që ka dhuruar Lionel Messi në këtë vit kalendarik e bëjnë atë një legjendë të futbollit edhe pse është vetëm 25 vjeç. 

Pas tij me më shumë gola të shënuar brenda 1 viti kalendarik është rivali më i fort i argjentinasit, ylli i Real Madrid, Cristiano Ronaldo me 62 gola. Me golat e tij Luzitani  udhëhoqi “Los Blancos” drejt titullit kampion në La Liga. Ndërsa muajt e fundit ka rënë disi rendimenti i tij pasi edhe skuadra Madrilene nuk po bën më të mirën e mundshme për të ndihmuar sulmuesin portugez. Një Vit mbresëlënës mund të quhet edhe për sulmuesin kolumbian të Atletico Madrid, Radamel Falcao.

“El Tigre” gjatë vitit 2012 ka realizuar plot 49 gola duke u dhënë “kryeqytetasve” Europa League-n dhe Superkupën e Europës. Golat e këtij sulmuesi të talentuar kanë ndihmuar shumë skuadrën e Atletiko Madrid për të arritur këto trofe që padyshim janë edhe meritë e bomberit Kolumbian. Vendin e katërt në këtë renditje të sulmuesve më të mirë të vitit 2012 e mbanë gjiganti suedez Zlatan Ibrahimoviç që la Milanin gjatë merkatos së verës me të cilin kishte shënuar shumë gola dhe zgjodhi Paris Saint Germain ku vazhdon të shënojë rregullisht dhe në fund të vitit 2012 numëron plot 48 gola të shënuar. 

Top 5-shen e bomberave të vitit në Europë e mbyll uruguajani i Napolit, Edinson Cavani me 46 gola të realizuar. Cavani ka arritur të fitojë me skuadrën e tij vetëm kupën e Italisë por golat e tij të mrekullueshëm e kanë ndihmuar Napolin të jetë një skuadër rivalizueze mes më të mirave të kampionatit Italian. 

Për sa i përket lojtarëve të ri, një vend të rëndësishëm në renditjen e golashënuesve më të mirë të vitit 2012 e zë sulmuesi i talentuar i skuadrës së Milan, Stephan El Shaarawy, i cili i ka befasur të gjithë me lojën dhe golat e shënuar për skuadrën e tij duke u bërë një lojtar i rëndësishëm për të ardhmen e klubit kuq e zi.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!