Ajet Shosholli, trajner i Trepçës?
Fidaim Haxhiun mund ta zë viti 2013 si trajner i lirë, ndonëse kanë mbetur edhe pesë ditë deri te ndërrimi i motmoteve. Në fakt, është trajneri tjetër mitrovicas, Ajet Shosholli, i cili ka nisur bisedat me ‘Xehetarët’, teksa pret për t’i detajizuar edhe disa gjëra, deri te vënia e ngjyrës së ‘zezë në të bardhë’.
Lajmi konfirmohet nga zyrtarë të Trepçës në kushte anonimiteti. “Brenda pak ditësh do të ketë ndryshime në shtabin teknik. Kryesia e klubit ka filluar bisedat me trajnerin Ajet Shosholli. Ka mbetur të detajizohen edhe disa gjëra tjera për t’u arritur marrëveshja përfundimtare”, thonë zyrtarë të ‘Xehetarëve’. Ata nuk kanë treguar arsyet për një ‘rrokadë’ të tillë në shtab teknik, duke thënë se gjithçka do të sqarohet, pasi të arrihet marrëveshja përfundimtare me Shoshollin.
Ndryshe, gazeta të martën ka kontaktuar edhe sekretarin e Trepçës, Hajrullah Haxhiun. Ai nuk e ka mohuar e as pohuar një gjë të tillë, duke lënë hapësirë për këtë lajm tek ekipi mitrovicas.
Shosholli konfirmon bisedat
Nga ana tjetër, bisedat me Trepçën i ka konfirmuar trajneri Ajet Shosholli. “Ka lëvizje në këtë drejtim. Bisedat i kemi filluar”, u shpreh fillimisht Shosholli për ‘Sport’.
Megjithatë, Shosholli ‘betohet’ se nuk është arritur marrëveshja përfundimtare. “Deri më tash nuk ka asgjë konkrete”, përfundoi ai.
Shosholli së fundmi drejtoi Vëllaznimin. Ai për pak sa nuk kaloi te Hajvalia muaj më parë, pasi kishte biseduar seriozisht me zyrtarët e këtij klubi për të drejtuar skuadrën. Sidoqoftë, fundi i vitit 2012 me shumë gjasë do ta lë në postin e trajnerit të Trepçës. Këta të fundit synojnë titullin e kampionit me Shoshollin.
Trepça po dimëron në pozitën e tretë në renditje me 30 pikë, sa ka edhe rivali i qyteti, ‘89-shi, që është një pozitë më lart. (ORAinfo)
Category: Futboll

















