Shpallja e më të mirëve: Organizim ‘për gjynah’!

Unknown | Wednesday, January 09, 2013 |


Ceremonia e organizuar këtë herë nga FFK-ja, ishte e nivelit të dobët, duke shpalosur kështu shumë gabime, duke filluar nga prezantuesja, teksti i papërgatitur dhe mosardhja e shumë të shpërblyerve.

Së pari, në vend se 10 futbollistët më të mirë të ulen së bashku, disa prej tyre, Shpëtim Babaj e Leonit Abazi, uleshin ndarazi, kurse në tavolinën ku ishte paraparë të uleshin futbollistët, kishte edhe shokë të lojtarëve, që me gjasë nuk ishin as të ftuar. Krahas kësaj, mungonin shumë personalitete që pritej të merrnin çmimet, si klubi i Prishtinës, gazetari Azem Brovina, drejtuesit e Liburnit, KF Istogu etj.

Lojtari më i mirë në futsall, Ramadan Alaj, mori tri shpërblime, mirëpo asnjëherë nuk iu tha saktë mbiemri nga moderatorja. Nga Alaj iu bë Aliu. Çmimin për skuadrën më ‘Fair-Play’, Istogu, e mori zyrtari i FFK-së, Adem Qollakaj, kurse përzgjedhësi Albert Bunjaki, u duk sikur bëri të vetin çmimin e klubit më të mirë, që në këtë rast i takonte Prishtinës. Kjo e fundit çuditërisht bojkotoi ceremoninë, dhe nuk kishte kush të merrte çmimin që duhej ta dhuronte Bunjaki, raporton “Sport”.

Pastaj, Berat Hyseni, që mori çmimin si shënuesi më i mirë, përmendej se ai realizoi gola vetëm për Drenicën, gjë që në fakt, ai në gjashtë muajt e parë të 2012-ës bëri gola edhe për Trepçën ’89.

Prezantuesja Edona Zogu, harronte edhe shpërblimet dhe shpeshherë duhej të ndërhynte sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, për ta përmirësuar. Madje, për pak mbeti pa mirënjohje edhe Ministria për Kulturë, Rini e Sport.
Për dallim nga herët tjera, FFK këtë herë kishte futur edhe çmimin e futbollistit më të mirë në diasporë, të cilin e fitoi Valon Behrami i Napolit, ndoshta edhe për shkak se babai i tij, Ragipi, ishte i pranishëm në ceremoni. Kjo nuk do koment, pasi para yllit të Bayern Munichut, Xherdan Shaqiri, nuk e meriton askush këtë çmim. Ai madje u shpall edhe futbollisti më i mirë në Zvicër për vitin 2012, por jo edhe nga Federata e Futbollit e Kosovës!

Për fund, Shpëtim Idrizi, futbollisti më i mirë i vitit, mori një figurë të lojtarit dhe një mirënjohje, madje të njëjtën që e fitoi Ramadan Alaj (lojtari më i mirë në futsall) e Berat Hyseni (top-shënuesi). Shpërblimet e Idrizit nuk dallonin fare me ato të Alajt e Hysenit (shih fotot). Ju kujtojmë se vetëm vitin e kaluar trofeu i Mentor Zhdrellës ishte rreth 1 metër i madh.

FFK nuk i dha të paktën një mirënjohje edhe Kompanisë DigitAlb, që momentalisht është ‘infuzioni’ i vetëm për klubet në Kosovë. (ORAinfo)

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!