Betisi ndal Barcelonën
Takimi i zhvilluar të shtunën mbrëma në Manuel Ruiz de Lopera, ndërmjet Real Betisit dhe Barcelonës ka përfunduar me rezultat të barabartë, 2-2.
Real Betis ka treguar një lojë të shkëlqyeshme për të nxjerrë një pikë përballë liderit të tabelës së La Ligës, Barcelonës, që u duk se nuk ishte në ditën e saj më të mirë.
Vendasit u treguan skuadër shumë e rrezikshme në pjesën e parë duke krijuar epërsi të dyfishtë përballë skuadrës e cila ka krijuar epitetin “e pamposhtur”. Goli i parë në ndeshje erdhi pas një krosimi të rrezikshëm të Emana, të cilin e shfrytëzoi Melli për ta mposhtur portierin Valdez (18’). Andaluzianët dyfishuan epërsinë pas shtatë minutash (25’), ndërsa golashënues ishte Mark Gonzalez.
Pa përfunduar pjesa e parë (45’+2) u akordua një penallti e dyshimtë në favor të Blaugranëve, ndërsa Samuel Eto’o shënoi pas tentativës së dytë, pasi që gjuajtjen nga pika e bardhë e mbrojti portieri Ricardo. Ishte sërish kameruansi Eto’o, lojtari i cili i solli një pikë shumë të vështirë Barcelonës për ta penguar nga humbja e dytë këtë sezon, pasi që në minutat e fundit të pjesës së dytë e mposhti për së dyti Ricardon.
Me këtë barazim, Barcelona ia ofron mundësinë Real Madridit që me fitore eventuale në takimin e të dielës kundër Sporting de Gijon, të afrohet në dhjetë pikë diferencë me liderin e tabelës.
Category: Futboll
0 Komente