Manchester United 2-0 Inter

dardanmiftari | Thursday, March 12, 2009 | 0 Komente

Supersfida kthyese e 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve, e cila u zhvillua të mërkurën mbrëma në Old Trafford, ndërmjet Manchester Unitedit dhe Interit, ka përfunduar me rezultat 2-0 në favor të skuadrës vendase, e cila e vazhdon garën në çerekfinale.

Djajtë e Kuq e filluan vrullshëm takimin duke befasuar zikaltrit porsa filloi ndeshja (4’). Një krosim nga këndi i Ryan Giggs u shfrytëzua më së miri nga mbrojtësi serb i United, Nemanja Vidic, i cili e mposhti me kokë portierin Cesar.
Pas golit të pësuar, Nerazzurët e patën të vështirë të krijonin ndonjë rast para portës së Van Der Sar, pasi që Zlatan Ibrahimovic ishte vazhdimisht i rrethuar nga tre apo katër lojtarë vendas sa herë që pranonte topin. Megjithatë në vazhdën e takimit suedezi arriti të krijojë raste për veten dhe bashkëlojtarët, duke qenë rreziku kryesor për portën vendase, dhe njëkohësisht duke bërë që Interi të jetë skuadër më dominuese në pjesën e parë.
Gajtë gjysmës së parë Ibracadabra goditi transversalen dhe pati një rast shumë të mirë, me ç’rast gjuajtja e tij kaloi shumë afër shtyllës. Nga ana tjetër për Unitedin vlen të përmendet rasti i O'Shea, i cili u gjet i vetëm përpara portierit mysafir, por Julio Cesar u tregua më efikas duke pamundësuar realizimin e golit të dytë të vendasve, i cili do ta shokonte Interin.
Ashtu si kurse në pjesën e parë, me të filluar pjesa e dytë, edhe atë pikërisht në minutën e katërt (49’), Manchester United shënoi golin e dytë në këtë përballje duke ia vështirësuar edhe më shumë punët të zgjedhurve të Jose Mouronhos.
Ishte lojtari më i mirë në botë për sezonin e kaluar, Cristiano Ronaldo, lojtari i cili dyfishoi epërsinë e Djajve të Kuq me një gol të shënuar me kokë pas një krosimi të Wayne Rooneyt. Një rast shumë të mirë për Interin e pati i porsainkuadruari në lojë, Adriano, por goditja e tij përfundoi në shtyllën pingule. United reagoi menjëherë duke krijuar një rast shumë të mirë para portës kundërshtare, por Dimitar Berbatov nuk arriti ta mposhtë portierin mysafir, i cili bëri një tjetër ndërhyrje të saktë.
Në vazhdim të lojës trajneri zikaltër bëri të gjitha zëvendësimet e mundshme, por nuk arriti të bëjë asgjë përballë skuadrës së fuqishme kampione, e cila do ta vazhdojë rrugën drejt titullit të dytë radhazi të Ligës së Kampionëve. Ndërkohë, Interit i mbetet të vazhdojë luftën për Scudetto ku i ka punët mirë dhe ta rikthejë eventualisht disavantazhin prej 3-0 në Kupën e Italisë kundër Sampdorias, pasi kjo është hera e tretë radhazi që eliminohet në këtë fazë të Ligës së Kampionëve.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...