Manchester United 2-2 Porto

dardanmiftari | Tuesday, April 07, 2009 | 0 Komente

Takimi i parë çerekfinal i Ligës së Kampionëve i zhvilluar në Old Trafford, ndërmjet Manchester Unitedit dhe Portos ka përfunduar me rezultat të barabartë 2-2.

Pjesa e parë

Porsa filluan minutat e para të ndeshjes (4’), Cristian Rodriguez i dënoi Djajtë e Kuq, pas një gabimi të mbrojtësit Jonny Evans, i cili luajti në mungesë të mbrojtësit kryesor, Rio Ferdinand. Vendasit u përgjigjën në mënyrë të njëjtë, kur Wayne Rooney shfrytëzoi një gabim amatoresk të mbrojtësit Bruno Alves, për t’i barazuar shifrat. Deri në fund të pjesës së parë skuadra e Portos ishte ekipi dominues në fushë, mirëpo nuk arriti të bëjë më shumë, përveçse regjistroi disa raste të mira para portës kundërshtare.

Pjesa e dytë

Në fraksionin e dytë të lojës, kampionët në fuqi u treguan skuadër më e vendosur dhe më kërkuese e fitores. Trajneri Sir Alex Ferguson bëri disa ndryshime, duke inkuadruar në lojë Ryan Giggsin, Gary Nevillen dhe Carlos Tevezin, ndërsa ky i fundit rezultoi zëvendësim i suksesshëm. Në minutën e 85-të, argjentinasi kaloi në epërsi vendasit pas një super-pasimi të Rooneyt duke ngritur në këmbë të gjithë tifozët në Old Trafford. Mirëpo atëherë kur mendohej se United do të dalë fitues nga kjo përballje, lojtari që zëvendësoi golashënuesin e parë të Portos, Mariano Gonzalez barazoi rezultatin në 2-2 (89’) duke bërë që Porto ta ketë statusin e favoritit në ndeshjen kthyese që luhet pas një jave. Megjithatë, një fitore minimale e Djajve të Kuq në Portugali, do të thoshte se ata do të luajnë në gjysmëfinale.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...