Vazhdon forma e dobët e Liverpoolit
Liverpooli nuk ka arritur të nxjerrë më shumë se një barazim 1-1 në ndeshjen e zhvilluar në udhëtim ndaj Stoke Cityt, edhe pse kishte avantazhin deri minutat e fundit të ndeshjes.
Pas një pjese të parë pa gola, mysafirët e Liverpoolit kaluan në epërsi me anë të mbrojtësit grek Sotirios Kyrgiakos 12 minuta në pjesë të dytë (57’), por të zgjedhurit e Rafa Benitez nuk arritën ta mbajnë epërsinë.
Vendasit arritën të barazojnë me anë të një mbrojtësi tjetër, gjermanit Robert Huth, në minutën e fundit të kohës së rregullt të ndeshjes (90’). Dirk Kuyt pati një mundësi të shkëlqyeshme për të marrë tre pikët në momentet e fundit të lojës shtesë, por goditja e tij me kokë u ndalua nga shtylla.
Liverpooli do të vazhdojë të mbajë pozitën e shtatë me 34 pikë, pozitë kjo që kërcënohet nga Birmingham City (33 pikë) që sot më vonë udhëton në fushë të Portmsouth.
Category: Futboll
0 Komente