Interi është kampioni i ri i Evropës
Jose Mourinho ka bërë histori me Interin, pasi ka arritur t'ia sjellë titullin e Ligës së Kampionëve pas 45 vjetëve.
Nerazurët mposhtën Bayernin e Munichut me rezultat 2-0 në finalen e zhvilluar në Bernabeu, për t'u shpallur kampion i ri i Evropës.
Diego Milito ishte lojtari i ndeshjes, pasi shënoi të dy golat e ndeshjes, nga një në secilën pjesë.
Pjesa e parë
Edhe pse posedimi i takoi Bayernit të Munichut, rastet më të mira të pjesës së parë i pati Interi. Nerazurët e filluan ndeshjen në mënyrë më kërkuese duke krijuar disa raste shënimi me anë të treshes sulmuese Pandev, Milito, Eto’o.
Në anën tjetër gjermanët tentuan të krijojnë raste kryesisht me anë të kundërsulmeve që kishin si pikënisje anësorin e djathtë Arjen Robben, por që u shfrytëzuan nga dy sulmuesit Muller edhe Olic.
Holandezi pati një rast të mirë shënimi në minutë e 23-të të ndeshjes pas një rrëmuje para portës së Cesar, por goditja e tij u dërgua lart në publik. Në anën tjetër, mesfushori tjetër holandez, Wesley Sneijder, pati një rast të mirë nga goditja e lirë, por topi u mbrojt nga portieri Butt.
Pas 34 minutash lojë italianët hapën rezultatin me anë të një goli të shënuar nga Diego Milito. Pas një topi të gjatë të pranuar dhe një asistimi nga Sneijder, argjentinasi nuk fali nga afërsia për të çuar në avantazh ekipin e trajnerit Jose Mourinho.
Rastet vazhduan edhe në pjesën e mbetur të ndeshjes, me Robben një goditje e fuqishme e të cilit përfundoi jashtë kuadratit të portës kundërshtare, ndërsa Sneijder huqi nga afërsia në anën e kundër, pasi goditja e tij u mbrojt nga portieri gjerman.
Pjesa e dytë
Vazhdimi i dytë i ndeshjes madje solli edhe më shumë raste dhe emocione. Këtë pjesë ishin gjermanët që kërkonin më shumë golin e barazimit, ndërsa italianët kërkuan të shtojnë epërsinë me anë të kundërsulmeve.
Pas më shumë se një ore lojë, bavarezët patën një rast të shkëlqyeshëm për të barazuar ndeshjen, por Cesar ndërhyri në mënyrë të shkëlqyeshme për të mbrojtur një gol të sigurt (63’). Braziliani pati edhe një reagim të përkryer dy minuta më pas (65’) për të mbrojtur një goditje të dërguar në këndin e djathë nga Robben.
Megjithatë ishin edhe kësaj here nerazurët më të saktë dhe sërish Milito ai që shënoi. Pas një kundërsulmi të shpejtë në minutën e 70-të të ndeshjes, argjentinasi arriti të depërtojë nëpër mbrojtjen bavareze nga ana e majtë, për të dërguar topin në të djathtë të rrjetës së Butt.
Edhe pse e panë veten në disavantazh të dyfishtë, të zgjedhurit e trajnerit Louis van Gaal vazhduan të ngulmojnë për të shënuar, por që nuk rezultoi me ndonjë gol, edhe pas inkuadrimit të Miroslav Klose dhe as sulmuesit të tretë në fushë Mario Gomez. Në anën tjetër, i kënaqur me dy gola, në dhjetë minutat e fundit Mourinho tërhoqi sulmuesin Pandev për të inkuadruar mesfushorin Sulley Muntari.Triumfi është i pari për Interin që kur kjo garë quhet Liga e Kampionëve, ndërsa i treti në përgjithësi në garën evropiane dhe i pari që nga viti 1965. Ky po ashtu është i treti trofe këtë sezon, pasi nerazurët fituan edhe Serie A dhe Kupën e Italisë.
Me fitoren e sotme, Jose Mourinho bëhet vetëm trajneri i tretë pas Ernst Happel dhe Ottmar Hitzfeld që e fiton Ligën e Kampionëve me dy klube të ndryshme, pasi kishte triumfuar në garën evropiane edhe në vitin 2004 me Porton.
Category: Futboll
0 Komente