Fabregas: ShBA-të mund të arrijnë në gjysmëfinale

dardanmiftari | Friday, June 25, 2010 | 0 Komente

Mesfushori spanjoll, Cesc Fabregas, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të arrijnë në gjysmëfinalen e Botërorit, Afrika e Jugut 2010.
“Momenti më i mirë për mua deri tani në këtë Botëror ishte goli i ShBA-ve në minutën e fundit. Ishte një ndeshje fantastike dhe që kurrë nuk do ta harroj. Të gjithë po flasin për këtë. Ai ishte moment i mrekullueshëm, ndërsa ata janë ekip i madh. Ne e mësuam këtë kur na mposhtën në gjysmëfinalen e Kupës së Konfederatave vitin e kaluar. Kështu që, nuk isha i befasuar që ata përfunduan në krye të grupit. Ata janë të gatshëm dhe të fortë, të rrezikshëm në kundërsulme”.
“Ata gjithashtu kanë shpirt, ata u kthyen prej dizavantazhit me dy gola ndaj Sllovenisë, për të barazuar në fund, kurse ndaj Algjerisë shënuan në kohën shtesë, për t’u kualifikuar. ShBA-të kurrë nuk dorëzohen. Kjo është arsyeja pse besoj se ata mund të shkojnë larg, sepse ata luftojnë deri në fund dhe punojnë shumë. Ata janë në anën e mirë të skemës së shortit, ata kanë Ganën dhe ndoshta më pas edhe Uruguain. Kështu që, unë i shoh ata në gjysmëfinale dhe ku ta di unë më pas çfarë do të ndodhë”, deklaroi Fabregas për The Sun.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...