Shokuese, Ramalho nuk është trajner i Brazilit
E pabesueshme! Vetëm një ditë pasi ishte konfirmuar nga Federata Braziliane e Futbollit (CBF) se Muricy Ramalho është përzgjedhës i ri i Brazilit, duket se skuadra e Ramalhos, Fluminense e ka ndaluar atë që ta marrë nën drejtim Brazilin, ndërsa tani si favorit është strategu i Corinthians, Mano Menezes.
Pasi ndërhyri zëvendëspresidenti i Fluminenses për të penguar emërimin e Ramalhos në krye të Brazilit, në skenë doli përsëri kryetari i CBF, Ricardo Teixeira.
“Unë bisedova me shumë njerëz, shikova debate të ndryshme në emisione të shumta sportive si dhe dëgjova tifozët që përmendnin tri emra. Çfarë ndikoi në zgjedhjen time është një ndryshim i menjëhershëm në skuadrën e Brazilit, që fillon nga Mano Menezes, i cili është thirrur në krye të detyrës para ndeshjes ndaj SHBA-ve më 10 gusht”, theksoi Teixeira.
Në një komunikatë tjetër, CBF bën të ditur se Menezes është duke e shqyrtuar ofertën dhe do ta komunikojë vendimin e tij në një konferencë për shtyp të shtunën.
Category: Futboll
0 Komente