Sunderlandi ndalon Arsenalin
Tomas Rosicky ka humbur një penalti derisa Sunderlandi ka shënuar gol në minutën e katërt shtesë të ndeshjes, për të ndaluar me barazim 1-1 Arsenalin e mbetur me dhjetë lojtarë në fushë, në ndeshjen e zhvilluar në Stadiumin e Dritave.
Djelmoshat e Arsene Wenger e panë veten në epërsi pas 13 minutash lojë, falë një goli të bukur të kapitenit Cesc Fabregas, të cilën epërsi e ruajtën deri në sekondat e fundit të ndeshjes.
Një prej momenteve kyçe në ndeshje ishte largimi i mbrojtësit të Arsenalit, Backary Sagna, me kartonin e dytë të verdhë në pjesën e dytë të takimit (63’).
Edhe pse me një lojtar më pak në fushë, Topçinjtë kishin shansin e artë të dyfishojnë epërsinë. Me pesëmbëdhjetë minuta të mbetura, mesfushori francez Samir Nasri u faulua në zonën e rreptësisë nga Al-Muhamadi, ndërsa Tomas Rosicky dështoi të shënojë nga pika e bardhë, pasi goditja e tij goditi pjesën e jashtme të shtyllës.
Kur u mendua se Arsenali do të fitojë tre pikë dhe të marrë kreun e tabelës, ndodhi befasia e radhës, kur në sekondat e fundit të ndeshjes, pas një harkimi të topit nga këndi nga ana e Andy Reid dhe një rrëmuje para portës së Manuel Almunia, Darren Bent dërgon topin në rrjet për të nxjerrë një pikë nga takimi.
Me një pikë të fituar, Arsenali vazhdon të qëndrojë në pozitën e dytë me 11 pikë, një më pak se Chelsea, që nesër mund të zgjerojë në katër pikë avantazhin në maje të tabelës nëse shënon fitore ndaj Blackpool.
Category: Futboll
0 Komente