Juve barazon, Adebayor shkëlqen
Juventusi ka barazuar në udhëtim te Salzburgu me rezultat 1-1, përderisa Manchester City ka shënuar fitore prej 3-1 në shtëpi ndaj Lech Poznan, në sfidat e vlefshme për Grupin A të Europa League.
Vendasit e Salzburg luajtën shumë më mirë se Bianconerët dhe mundi u shpagua pas golit të Dusan Sventos, që zhbllokoi rezultatin në 1-0 falë asistimit të Mendes (36’).
Me të filluar pjesa e dytë, Milos Krasic realizoi golin e barazimit për Juventusin, që doli të ishte dhe goli i fundit në këtë sfidë, e cila përfundoi me rezultat 1-1. Nga ana tjetër, Manchester City ia tregoi vendin skuadrës polake Lech Poznan, e cila u mposht nga togolezi Emmanuel Adebayor, që realizoi hettrik (13’, 25’ dhe 73’), me ç’rast shkëlqeu David Silva me dy asistime. Golin e vetëm për Lech e shënoi Joel Tshibamba (50’), ndërsa ndeshja në fund përfundoi me rezultat 3-1.
Manchester City e sheh veten në pozitën e parë të Grupit A me shtatë pikë pas tre ndeshjeve, ndërsa Lech Poznan gjendet në pozitën e dytë me katër pikë. Juventusi ka tri pikë në pozitën e tretë, ndërsa Salzburg është i fundit me vetëm një pikë.
Nga ndeshjet tjera veçojmë fitoren e lartë të Atletico Madridit ndaj Rosenborgut me rezultat 3-0, humbjen e rëndë të Palermos në shtëpi prej 3-0 nga CSKA Moska dhe fitoren minimale me rezultat 1-0 të Villarealit ndaj PAOK-ut të Selanikut.
Category: Futboll
0 Komente