Barca do vuante në Angli, Messi nuk është as për Stoke City
Top gazetari sportiv në Angli, Andy Gray, ka vënë sensacionalisht në pikëpyetje aftësitë e Lionel Messit, duke thënë se argjentinasi do të vuante ndaj ndonjë skuadre si Stoke City, ndërsa shtoi se Barcelona nuk do t’ia dilte në Ligën Premier, pasi kurrë nuk ka luajtur ndaj Stoke Cityt.
I pyetur nga bashkëkomentatori i tij në ndeshjen Manchester City – Everton për atë se a do të shënonin Messi dhe Ronaldo në Ligën Premier, po aq sa në La Liga, Gray tha:
“Messi do të vuante në një natë të ftohtë në Britannia Stadium të Stoke Cityt. Barcelona poashtu do të vuante në Ligën Premier, pasi kurrë nuk është përballur me Stoke Cityn”.
55 vjeçari vazhdoi me kritikat e tij të ashpra për Kampionatin spanjoll, duke thënë se në krahasim me Kampionatin anglez, La Liga nuk e ka cilësinë e njëjtë, duke aluduar se Ronaldo dhe Messi mund të shënojnë atje në mënyrë të vazhdueshme, përkundër faktit se ishte pikërisht Ronaldo ai që shënoi 31 gola në 34 ndeshje për Manchester Unitedin në Ligën Premier gjatë sezonit 2007-2008.
Për më shumë, Gray foli edhe për Ronaldon, duke e kritikuar FIFA-n për lënien e tij jashtë finales për Topin e Artë, ndërsa shtoi se superylli i Real Madridit nuk do të ishte lojtari që është sot po që se nuk do të kishte luajtur në Ligën Premier.
Pikëpamjet e Gray kanë shkaktuar polemika dhe kritika të shumta në qarqet mediatike.
Category: Futboll
0 Komente