Zyrtare: Hodgson largohet, Dalglish trajner i ri i Liverpoolit
Roy Hodgson nuk është më menaxher i Liverpoolit pas marrëveshjes së arritur me pajtim reciprok, pas vetëm gjashtë muajsh bashkëpunimi, bën të ditur klubi nga Anfield në faqen zyrtare.
Liverpoolin deri në fund të sezonit do ta drejtojë legjenda e The Reds, Kenny Dalglish dhe atë duke filluar nga ndeshja që zhvillohet të dielën ndaj Manchester United.
“Ne i jemi falënderues Roy Hodgsonit për kontributin e tij gjashtë muajt e fundit, por ne menduam në mos është më mirë për klubin që ai të largohet nga pozita e menaxherit të klubit. Ne i dëshirojmë çdo të mirë për të ardhmen”, u shpreh vet pronari John Henry në një komunikatë në faqen zyrtare.
Pa u shprehur nuk e la as vet Hodgson: “Muajt e fundit kanë qenë më sfidueset në karrierën time. Unë jam shumë i zhgënjyer që nuk kam qenë në gjendje të lë gjurmë në skuadër, duke marrë parasysh kohën që nuk më është dhënë për të sjellë lojtarë të rinj gjatë afatit kalimtar të janarit. Klubi ka lojtarë të klasit botëror, me të cilët ishte kënaqësi që punova, ndërsa i dëshiroj çdo të mirë klubit”.
Liverpooli është aktualisht në pozitën e 12-të në Ligën Premier, vetëm katër pikë larg nga zona ku luftohet për mbijetesë.
Kenny Dalglish është legjendë e padiskutueshme e klubit nga Anfield, pasi që njihet për katër titujt e fituar në vitet e 80-ta dhe 90-ta si menaxher i Liverpoolit.
Category: Futboll
0 Komente