Arsenali dhe City në çerekfinale të FA Cup
Arsenali ka djegur skuadrën Leyton Orient në Emirates me rezultat 5-0, përderisa të njëjtën gjë e bëri Manchester City me Aston Villan, për t’u kualifikuar të dy skuadrat në çerekfinalen e FA Cup.
Arsenali nuk diskutoi shumë me mysafirët, të cilët nga sekonda e parë ishte parë që kishin ardhur për turizëm në Emirates. Marouane Chamakh (7’) hapi serinë e golave. Atë e vazhdoi me tri gola tjerë danezi Nicklas Bendtner (29’, 43’ dhe 62’). Vulën takimit për 5-0 i dha francezi Gael Clichy 15 minuta pa përfunduar takimi.
Manchester City iu falënderua magjisë së Mario Balotellit dhe Yaya Toures kur tejkaloi Aston Villan me rezultat 3-0. Yaya Toure kaloi në epërsi ‘qytetarët’ pas vetëm pesë minutash lojë. Mario Balotelli dyfishoi epërsinë me një gol fenomenal të realizuar pas një pasimi maestral nga Yaya Toure (25’). David Silva shënoi për 3-0 dhe rezultatin përfundimtar të këtij takimi (70’).
Në çerekfinale të FA Cup, Manchester City takohet me Readingun, ndërsa Arsenali do të ketë përballë liderin në Ligën Premier dhe konkurrentin kryesor për titull, Manchester Unitedin.
Category: Futboll
0 Komente