Reali shkatërron Malagan
Real Madridi ka shënuar fitore të lartë me rezultat 7-0 ndaj Malagas në sfidën e zhvilluar në Santiago Bernabeu, për të vazhduar kështu ndjekjen e liderëve.
Se ky takim do të ishte vetëm ecje e lirë nëpër natyrë për Los Blancos e vërtetuan minutat e para. Sidoqoftë, pas tentimeve të shumta, goli i parë vjen në minutën e 27-të kur Benzema për mrekulli shfrytëzoi një harkim të bukur nga Xabi Alonso. Megjithatë, kjo nuk ishte e tëra. Angel Di Maria realizoi nga afërsia për 2-0 (35’) dhe ishte pikërisht Di Maria që ia ktheu asistimin Marcelos, që realizoi për 3-0 me anë të një goditje precize (45’).
Në pjesën e dytë fjalën e kishte Cristiano Ronaldo. Portugezi katërfishoi epërsinë (51’) para se Karim Benzema ta shënojë golin e tij të dytë në këtë takim (62’) për 5-0. Ronaldo shënoi edhe dy herë të tjera (68’ nga penaltia dhe 77’) për rezultatin përfundimtar dhe copëtimin e Malagas prej 7-0.
Real Madridi ka 64 pikë në pozitën e dytë, shtatë pikë më pak se lideri Barcelona. Reali i shkon Santanderit këtë fundjavë, ndërsa Blaugranët presin Zaragozan në Camp Nou.
Category: Futboll
0 Komente