Real Madrid 0-2 Lionel Messi
Me rezultat prej 2-0, Barcelona e ka mposhtur Real Madridin para tifozëve të vet në takimin e parë gjysmëfinal të Ligës së Kampionëve.
Të mërkurën mbrëma e gjithë vëmendja e futbolldashësve ishte e përqendruar në Santiago Bernabeu ku u ndeshën dy rivalët e përgjakshëm dhe dy nga skuadrat më të mëdha në botë, në një përballje përplot emocione, tension, kartonë dhe ku u shënuan dy gola. Skuadrat zhvilluan një gjysmë të parë “të mërzitshme”, kjo sidomos falë taktikave të trajnerit të Real Madridit, i cili arriti t’ia bllokojë lojën Barcelonës dhe njëkohësisht i kishte kufizuar lojtarët e tij nga faza ofensive.
Barcelona në tentativë për të zhvilluar lojën e vet nuk arrinte të krijonte hapësira, pasi lojtarët me fanella të bardha në mënyrë të shkëlqyer i kishin mbyllur ato.
Sido që të jetë, Blaugranët arritën të krijojnë disa kërcënime, ndërkohë që një të tillë e pati edhe Cristiano Ronaldo në fund të gjysmës së parë, e cila u mbyll pa gola.
Edhe në fraksionin e dytë të lojës Barcelona vazhdoi me dominimin në posedim të topit, ndërkaq vendasit edhe më tej aplikonin lojë defensive.
Pas një ore lojë, për shkak të një ndërhyrjeje të vrazhdë në Dani Alvesin, lojtari më i rëndësishëm i Realit në këtë takim, Pepe, u përjashtua me karton të kuq, dhe në këtë mënyrë krijoi hapësirë për mysafirët të aplikonin lojën e vet.
Një krosim i shkëlqyer i lojtarit të porsainkuadruar, Ibrahim Afellay, gjeti lojtarin më të mirë në botë, Leo Messi, përballë Iker Casillasit, i cili dështoi ta ndalte superyllin argjentinas (76’).
SuperMessi vërtetoi edhe njëherë epitetin e më të mirit në botë duke kaluar gjithë mbrojtjen e Real Madridit dhe duke e mposhtur për të dytën herë Casillasin (87’) për ta shuar dilemën e fituesit në këtë ndeshje.
Dy skuadrat do ta zhvillojnë ndeshjen kthyese në Camp Nou, ku do të vendoset se kush do të luajë në finale.
Category: Futboll
0 Komente