Klitschko mposht Haye
Wladimir Klitschko është kampioni absolut i unifikuar i boksit në kategorinë e rëndë, pasi mposhti pas vendimit të gjyqtarëve britanikun e jashtëzakonshëm, por që nuk arriti të bënte më shumë, David Haye.
Pritjet për këtë takim ishin të jashtëzakonshme – ky duel u konsiderua si një prej dueleve më të mëdha të të gjitha kohërave, dueli i shekullit, por në fund të gjithë u zhgënjyen. Ajo me të cilën mund të krenohen dhjetëra mijëra britanikët e mbledhur në Imtech Arena të Hamburgut është heroizmi i David Haye, i cili në momente të caktuara rrezikoi primatin e ukrainasit, të cilit iu desht vetëm vendimi i gjyqtarëve për t’i unifikuar titujt.
Ishte një David Haye me plot vetbesim ai që në fillim na dha një bindje se do të mund ta fitonte këtë duel, pasi me shpejtësinë e tij ia pamundësoi Wladimirit që ta godasë. Raundet e para, shkuan me dominim të një Haye fantastik. Mirëpo, ai që quhet ‘Dr. Grushti i Hekurt’ u rikthye në duel duke e dominuar më shumë përballjen nga raundi i pestë, me goditjet më të shpeshta të cilat i takuan ukrainasit dhe të cilat në fund duket ta kenë vendosur kampionin.Pas 12 raundeve nuk kishte të nokautuar dhe prandaj u mbeti në dorë gjyqtarëve që të vlerësonin takimin. Që të tri gjyqtarët menduan se Klitschko ishte më i miri dhe kështu, ukrainasi u shpall kampion absolut i botës në kategorinë e rëndë, me një fitore prej 117-109, 118-108 dhe 116-110.
Të dielën të gjitha deklaratat dhe më të rejat pas duelit, vetëm dhe ekskluzivisht në SportiSot
Category: Boks
0 Komente