Valencia i kthen Blaugranët në tokë

dardanmiftari | Wednesday, September 21, 2011 | 0 Komente

Pas fitores së thellë në fundjavë kundër Osasunas, Barcelona ka arritur të nxjerrë vetëm një barazim prej 2-2 përballë Valencias në takimin e të mërkurës mbrëma në Mestalla.
Los Che luajtën më mirë në gjysmën e parë, ndërsa atë e tregoi edhe rezultati. Pas 45 minutash vendasit avanconin 2-1.

Krosimin e Jeremy Mathieu në drejtim të Soldados, e ndali Eric Abidal, por për ta futur topin në portën e vet (12’).

Mirëpo, epërsia e vendasve nuk zgjati shumë, pasi Fabregas pasoi te Messi, argjentinasi ia kaloi topin Pedros, i cili barazoi shifrat (14’).

Ishte Pablo Hernandez lojtari që riktheu epërsinë e Valencias (23’), ndërsa ishte sërish puna e Mathieu meritore për arritjen e këtij goli.

Në gjysmën e dytë, mysafirët u angazhuan më tepër për ta kthyer rezultatin në favor të tyre, mirëpo edhe vendasit vazhdonin të jenë të rrezikshëm.

Pas disa rasteve të Blaugranëve, Leo Messi e gjeti për mrekulli Cesc Fabregasin, i cili me mjeshtri e nivelizoi sërish ndeshjen (77’).

Në minutat e mbetura, Barcelona dominoi duke krijuar raste, por mungoi konkretizimi.

Pas kësaj xhiroje, Valencia do ta mbajë kreun me dhjetë pikë, ndërsa Barca ngritet në kuotën e tetë pikëve, një më shumë se Real Madridi.

Category:

Ju pelqen artikulli shperndaje me shoke!

0 Komente

Shkruani Komentin Poshtë...