EL: Atletico pranë finales
Atletico Madridi ka shkatërruar Valencian në Vicente Calederon me rezultat 4-2 për t’iu afruar kështu finales së Europa League, teksa në gjysmëfinalen tjetër Sporting Lisbona shënoi fitore prej 2-1 ndaj Athletic Bilbaos, që ka përparësinë e golit të shënuar si mysafir.
Ndeshja ishte dinamike nga fillimi në Vicente Calderon. Serinë e golave e hapi Radamel Falcao (18’) para se Jonas (45 +3’) ta barazonte rezultatin në 1-1 brenda pjesës së parë.
Në pjesën e dytë Atletico u ndez dhe arriti që me golat e Mirandas (49’), Adrianit (54’) dhe Falcaos (78’) ta ngrisë epërsinë në 4-1, por shpresat e Los Che i mbajti Ricardo Costa i cili me kokë shënoi për 4-2 në sekondat e fundit të shtesës.
Nga ana tjetër pas një pjese të parë të baraspeshuar në Jose Alvalade, ishte Aurtenetxe (54’) ai që i dha epërsinë Athletic Bilbaos. Sidoqoftë, shpejt në lojë u rikthyen vendasit. Emiliano Insua (76’) shënoi për 1-1, para se Diego Capel të realizonte për 2-1 dhe fitoren e portugezëve të Sporting.
Ndeshjet kthyese gjysmëfinale zhvillohen pas një jave dhe favorizohen Atletico Madridi dhe Athletic Bilbao, njëra që ka avantazh prej dy golave nga ndeshja e parë dhe tjetra që ka golin në terrenin mysafir.
Category: Futboll
0 Komente