Del Piero: Nuk kam ëndërruar përshëndetje më të mirë
Ikona e Juventusit, Alessandro Del Piero, është shprehur tejet i kënaqur me respektin që ia bënë tifozët në ndeshjen e fundit për Zonjën e Vjetër në Serie A.
Bianconerët sot (e diel) festuan titullin e kampionit të Italisë, pas fitores prej 3-1 ndaj Atalantas, ndërsa për ta bërë edhe më të bukur, në këtë ndeshje realizoi pikërisht kapiteni.
Gjatë gjithë kohës sa u zhvillua takimi, tifozët thuajse e harruan sfidën dhe vazhdimisht i bënin ovacione 37-vjeçarit, i cili po e kalon sezonin e fundit me klubin bardhezi.
“Ka qenë një ditë prekëse. Gjithmonë do t’i mbaj me vete këto momente dhe asnjëherë nuk do të ndalem së falënderuari tifozët e mi. Kuptohet se ka pakëz pikëllim, mirëpo nuk do të dëshiroja përshëndetje më të mirë”.
“Ajo që pashë në sytë e tifozëve ishte e mrekullueshme. Ishte një raport unik mes nesh, për atë që kemi përjetuar gjatë viteve, po ashtu edhe në momentet më kritike në historinë e klubit”, ka deklaruar Del Piero.
Legjenda italiane pritet ta bëjë paraqitjen e fundit për Juventusin më 20 maj në finalen e Kupës së Italisë kundër Napolit.
Category: Futboll
0 Komente