“Fjalët e Mourinhos nuk vlejnë asgjë”
Mesfushori i Barcelonës, Javier Mascherano, ka reaguar ndaj fjalëve të Jose Mourinhos, i cili ka thënë se 50 golat e Lionel Messit në La Liga nuk vlejnë asgjë.
Trajneri i Real Madridit tha të martën se Topi i Artë këtë vit duhet t’i jepet Cristiano Ronaldos, 46 golat e të cilit ua sollën Mbretërve titullin e kampionit të Spanjës, ndërkaq theksoi se rekordi golashënues i Messit nuk vlen për asgjë, pasi Barca nuk e fitoi titullin.
Megjithatë, Mascherano beson se bashkëkombësi i tij është favorit për ta fituar për të katërtën herë radhazi Topin e Artë falë lojës së tij dhe 72 golave të shënuar në të gjitha garat këtë sezon.
“Unë nuk i llogaris fjalët e Mourinhos. Nuk kam asgjë për të thënë”.
“Leo e meriton (Topin e Artë), sepse ka arritur një rekord që nuk është parë nga vitet e tridhjeta. Flasim për një njeri që ka thyer një rekord të mbajtur 70 apo 80 vite. Çfarë çmimi më i mirë mund t’i jepet sesa Topi i Artë?”, ka deklaruar mesfushori.
Category: Futboll
0 Komente