Majlinda: Refuzimi im, çështje politike
Xhudistja kosovare, Majlinda Kelmendi, ditë më parë është refuzuar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC), që të marrë pjesë në Lojërat Olimpike nën flamurin dhe himnin e Republikës së Kosovës, ndërsa sportistja më e suksesshme shqiptare e momentit mendon se çështja e saj është çështje politike.
Majlinda në një intervistë për BBC është shprehur se çështja e mos pjesëmarrjes së saj në Lojërat Olimpike ka të bëjë më shumë me çështje politike, teksa e konsideron këtë si lajm të keq.
“Nuk është lajm i mirë. Unë jam lindur në Kosovë dhe jam bërë atlete në Kosovë dhe përkrahjen më të madhe e kam pasur në Kosovë. Kjo nuk është asgjë më shumë se çështje politike. Ka shumë shtete që nuk e përkrahin dhe nuk e duan Kosovën”.
“Fatkeqësisht, Kosova është vend i vogël dhe ndoshta jo i fortë politikisht për momentin dhe kështu nuk është shtet i fuqishëm për të ndikuar në disa gjëra”, ka theksuar Majlinda.
Trajneri i Majlindës, Driton Kuka, nuk mori fare pjesë në Lojërat Olimpike të vitit 1992 për shkak të luftërave në Jugosllavi dhe për shkak se ai iu bashkua UÇK-së, ndërsa xhudistja e tij, Majlinda, ndihet me fat që mund të marrë së paku pjesë si shtetase e Shqipërisë.
“Tek e fundit, ne të gjithë jemi shqiptarë. Është mirë që unë mund të garoj së paku për Shqipërinë. Jo sikurse trajneri im, i cili ishte i pa fat dhe nuk shkoi fare”, përfundoi Majlinda.
Category: Xhudo
0 Komente